Drejt përfundimit rruga “Hamdi Kurteshi”, investimi shumëmilionësh që i jep fund një problemi shumëvjeçar në Gjilan
Gjilan – Punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi” kanë hyrë në fazën përfundimtare, duke finalizuar një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të realizuara në këtë pjesë të qytetit.
Investimi shumëmilionësh ka nisur gjatë mandatit të parë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ndërsa po përmbyllet në mandatin e tij të dytë. Projekti ka përfshirë ndërtimin e rrugës, trotuareve, rrjetit nëntokësor dhe rregullimin e infrastrukturës përcjellëse.

Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në kuadër të këtij projekti ka qenë mbulimi i lumit Stanishorka, i cili prej vitesh ishte shndërruar në një kanal me ujëra fekale, duke paraqitur problem serioz mjedisor dhe shqetësim të vazhdueshëm për banorët e zonës.

Për dekada me radhë, banorët e lagjes janë përballur me erën e rëndë dhe ndotjen që vinte nga lumi, duke e bërë jetesën në këtë pjesë të qytetit të vështirë. Me realizimin e këtij projekti, pritet që ky problem i kahershëm të mbetet pjesë e së kaluarës dhe cilësia
Asfaltimi i rrugës shënon fazën përfundimtare të punimeve që janë zhvilluar në këtë pjesë të qytetit, pas realizimit të ndërhyrjeve në infrastrukturën nëntokësore dhe elementeve të tjera përcjellëse. Me përmbylljen e projektit, pritet të përmirësohen ndjeshëm qarkullimi, kushtet për këmbësorët dhe pamja urbane e kësaj zone.
