UKZ dhe DKA-të mbështesin hulumtimet shkencore të studentëve të programit master në Mësimdhënie të Gjuhës Angleze
Bartësja e Programit Master “Mësimdhënie e Gjuhës Angleze” në Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Teuta Agaj Avdiu, ka zhvilluar takime bashkëpunimi me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit në komunat e Gjilanit, Kamenicës, Vitisë dhe Ferizajt, me qëllim të mbështetjes së realizimit të hulumtimeve shkencore të studentëve master në shkolla.
Në kuadër të këtyre takimeve u theksua rëndësia e bashkëpunimit institucional për realizimin e hulumtimeve të studentëve në shkollat fillore dhe të mesme, duke krijuar ura bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe institucioneve komunale të arsimit.

Takimet u zhvilluan me Jeton Rexhepi, Drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Selami Klaiqi, Drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kamenicë, Arta Ajeti, Drejtoreshë e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Viti, si dhe Afrim Llabjani, Drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Ferizaj.

Gjatë takimeve u diskutua mbi rëndësinë e mbështetjes së kërkimeve shkencore dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për realizimin e aktiviteteve hulumtuese të studentëve master, të cilët aktualisht ndodhen në fazën e përgatitjes së temave të diplomës. Hulumtimet e studentëve përfshijnë aktivitete të ndryshme kërkimore në mjedise shkollore, si vëzhgime në klasë, anketa, intervista me mësimdhënës dhe forma të tjera të mbledhjes së të dhënave, varësisht nga natyra e temave kërkimore.

Prof. Asoc. Dr. Teuta Agaj Avdiu theksoi se të gjitha aktivitetet do të realizohen në përputhje me standardet etike të kërkimit shkencor, duke garantuar pjesëmarrje vullnetare, ruajtje të konfidencialitetit dhe mosndërhyrje në procesin e rregullt mësimor.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” falënderon drejtorët komunalë të arsimit për gatishmërinë, mirëkuptimin dhe mbështetjen e ofruar në funksion të avancimit të kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional të studentëve.
