Shefki Daku bën thirrje: Familjet Daku të rikthehen në mbiemrin origjinal
Profesori kërkon ruajtjen e lidhjes së gjakut dhe origjinës për pasardhësit nga Laçiqi i Kamenicës
Profesori Shefki Daku i ka bërë thirrje familjeve me prejardhje nga trungu i Dakëve që të rikthehen në mbiemrin e parë – Daku, në mënyrë që të identifikohet më lehtë origjina dhe lidhja e gjakut.
Sipas tij, fshati Laçiq në Kamenicë u themelua para 300 vitesh nga Ali Daku dhe 5 djemtë e tij, nga të cilët u formuan lagjet e Ramovitëve, Ukovitëve, Sylovitëve, Cenakëve dhe Fazliovitëve. Për shkaqe politike, ekonomike e fetare, shumë familje janë shpërngulur dhe sot jetojnë në Kamenicë, Gjilan, Prishtinë, Shkup, Shqipëri, Turqi, Amerikë e Europë.
Daku tha se për shkak të administratës serbe, mbiemri Daku shpesh është regjistruar si “Daki”, ndërsa nga i njëjti trung sot ka edhe mbiemra si Murati, Rahmani, Asllani, Bajrami e Sadriu.
Ai kërkoi nga bashkëvendësit që përmes procedurave administrative në ofiqari të bëjnë korrigjimin e mbiemrit, duke theksuar se rikthimi në mbiemrin origjinal ndihmon në ruajtjen e lidhjeve mes njerëzve të një trungu, pavarësisht distancës.
