Kosova zhvillon dy miqësore në qershor, përballet me Çekinë dhe Andorrën
Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, që nis në shtator, ku “Dardanët” do të garojnë në Ligën B.
Përfaqësuesja e drejtuar nga Franco Foda fillimisht do të përballet me Kombëtaren e Çekisë më 31 maj, në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Kjo ndeshje konsiderohet një test i rëndësishëm për Kosovën përballë një kundërshtari me përvojë në futbollin evropian.
Çekia siguroi pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror 2026 pasi mposhti Danimarkën pas penalltive në “play-off”-in evropian, duke u rikthyer në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 2006. Aktualisht, çekët renditen në vendin e 41-të në ranglistën e FIFA-s.
Kosova dhe Çekia janë përballur dy herë më parë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. “Dardanët” fituan 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” më 7 shtator 2019, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Plzen pësuan humbje me rezultat të njëjtë, më 14 nëntor 2019.
Ndërkohë, ndeshjen e dytë miqësore Kosova do ta zhvillojë më 7 qershor kundër Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Edhe me Andorrën, Kosova është përballur dy herë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Ndeshja në Prishtinë kishte përfunduar baras 1:1, derisa “Dardanët” kishin triumfuar 3:0 në Andorra La Vella.
Këto dy ndeshje miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për të vazhduar ndërtimin e skuadrës para sfidave në Ligën B të Ligës së Kombeve, ku Kosova bën pjesë në Grupin B3 së bashku me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.
Grumbullimi i Kombëtares së Kosovës do të nisë më 27 maj në hotelin “Emerald”.
