Labinot Skoverqani zgjedhet kryetar i Aleancës në Kamenicë
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së Aleancës në Kamenicë, ku është zgjedhur kryetari i ri i degës, Labinot Skoverqani.
Gjini vlerësoi rolin e Aleancës në Kamenicë, duke theksuar se dega ka qenë gjithmonë një faktor i rëndësishëm politik, që ka përfaqësuar me dinjitet interesat e qytetarëve dhe vlerat e subjektit.
Ai falënderoi kryetarin e deritanishëm, Faton Jakupi, dhe strukturat e degës për angazhimin dhe punën e bërë ndër vite në shërbim të komunitetit.
“Labinoti është një nga kuadrot tona që, ndonëse i ri në moshë, zotëron përvojën e duhur politike për ta çuar Aleancën përpara”, ka deklaruar Gjini.
Sipas tij, Aleanca do të vazhdojë traditën e organizimit të mirë dhe përfaqësimit të fuqishëm politik në Kamenicë edhe nën drejtimin e ri të degës.
