Agim Krasniqi: KA POEZI QË LEXOHEN…
KA POEZI QË LEXOHEN… dhe ka të tjera që të përpijnë si një ëndërr nga e cila nuk dëshiron të zgjohesh.
Kjo poezi nuk flet vetëm për dashurinë trupore, ajo prek atë etje të lashtë të shpirtit, ku njeriu kërkon të bëhet një me tjetrin, përtej kohës, përtej jetëve të pajetuara. Çdo varg mban zjarr, mall, mister dhe një ndjesi të thellë përjetësie.
Autori ka ditur ta shndërrojë ndjenjën në figurë, zjarrin në gjuhë poetike dhe dëshirën në art. Ka guxim në këto vargje, por edhe finesë; ka pasion, por edhe dhimbje të heshtur. Një poezi që nuk lexohet me sy, por me puls.
Përgëzime autorit tim të preferuar për këtë krijim të rrallë, ku fjala digjet ngadalë si qiri në natën e shpirtit. Disa poezi shkruhen me dorë, kjo duket sikur është shkruar me vetë etjen e zemrës.
Respekt me një përshëndetje çepuriane!

Kjo poezi i mja, e dizajnuar nga një mik imi i tejçmuar, Agim Krasniqi, me të cilin ka 16 – 17 vite që njihemi vetëm virtualisht përmes fejzbukut, më erdhi diku para dy orève, bashkë me një shënim – vlerësim përcjellës dhe, vendosa ta publikoj, në shenjë nderimi për dashurinë e tij ndaj artit letrar, para se gjithash, ndaj poezisë.
Dhe, nuk është e para që Ai e “teleis” ashtu si është më së miri dhe i publikon, o te “muri” i tij, o m’i përcjell mua. Janë dhjetëra e dhjetëra të tilla. Madje del dhe një libër me poezi të përzgjedhura sipas shijes së Tij. Jo njëherë, po shumë herë më shkon mendja t’i përmbledh… jo për tjetër pos, për mundin, për dashurinë dhe për një shije të stërholluar ndaj poezisë.
Po, edhe për një fakt tjetër! Mund të ketë po unë as e kam lexuar, as parë apo dëgjuar se është botuar ndonjë përzgjedhje poetike nga një LEXUES i pasionuar i cili, dorën në zemër, e njeh si rrallë kush, pikërisht poezinë… .
