Ekskluzive | Shkencëtarja kosovare nga Prishtina, me origjinë nga Zhegra e Gjilanit nga ana e nënës, drejt një zbulimi të rëndësishëm në luftën kundër kancerit
Një arritje e jashtëzakonshme shkencore po vjen nga një emër i ri shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Eranda Berisha, shkencëtare e re nga Gjilani, pritet të prezantojë në SHBA punimin e saj të doktoraturës, i cili tashmë po vlerësohet si një hulumtim me rëndësi të madhe në fushën e kërkimeve anti-tumor dhe virologjisë moderne.
Pas katër vitesh punë intensive shkencore dhe hulumtimesh në laboratorë amerikanë, Berisha ka realizuar një studim që fokusohet në virusin KSHV (Kaposi’s Sarcoma Herpesvirus), i njohur si shkaktar i Sarkomës së Kaposit – një formë e rrezikshme e kancerit që prek qelizat endoteliale.

Në studimin e saj, të publikuar si parapublikim shkencor ndërkombëtar, Eranda Berisha dhe bashkëautorja Erica L. Sanchez kanë identifikuar proteinën FABP4 si faktor kyç në prodhimin maksimal të virusit dhe zhvillimin e proceseve kancerogjene.
Hulumtimi zbulon se si virusi manipulon yndyrnat e qelizës për t’u shumuar, duke hapur potencialisht rrugë të reja për trajtime inovative kundër sëmundjeve të lidhura me këtë virus dhe forma të caktuara të kancerit.
Sipas përshkrimit të studimit, analiza globale lipidomike ka treguar ndryshime të rëndësishme në strukturën lipidike të qelizave gjatë infeksionit viral, ndërsa proteina FABP4 është identifikuar si element me rol të rëndësishëm në përhapjen e virusit.
Ky sukses i madh akademik po merr vëmendje edhe në rrjetet sociale, ku familjarë dhe mbështetës të saj kanë shprehur krenarinë për arritjen e shkencëtares nga Gjilani.
“Jam jashtëzakonisht krenare për mbesën time, Erandën, e cila pas 4 viteve përkushtim të palodhshëm dhe pune shkencore intensive, në Amerikë do të prezantojë punimin e saj të doktoraturës me një zbulim shumë të rëndësishëm në fushën e kërkimit anti-tumor”, thuhet në reagimin e publikuar nga familjarët e saj.

Eranda Berisha po zhvillon studimet e doktoraturës në SHBA në fushën e Inxhinierisë Gjenetike dhe Shkencës së Teknologjive Celulare, ndërsa puna e saj është mbështetur nga disa prej institucioneve më prestigjioze shkencore dhe akademike në botë.

Ndër mbështetësit institucionalë dhe financiarë të projektit të saj përfshihen:
The Chan Zuckerberg Initiative, Cold Spring Harbor Laboratory, Massachusetts Institute of Technology (MIT), Stanford University, Imperial College London, California Institute of Technology, Fred Hutchinson Cancer Center, University of Washington dhe institucione të tjera të njohura ndërkombëtare.
Arritja e Eranda Berishës konsiderohet një sukses i madh jo vetëm për komunitetin shkencor shqiptar, por edhe për Gjilanin, nga ku ajo rrjedh, duke dëshmuar potencialin e të rinjve shqiptarë në qendrat më të avancuara të kërkimit shkencor në botë.
