Drita një hap larg titullit: fitore “e artë” në udhëtim, kampionati në dorë
Drita ka bërë një tjetër hap gjigant drejt titullit të kampionit, duke triumfuar minimalisht 1-0 në udhëtim ndaj Prishtinës së Re, në kuadër të javës së 32-të të elitës së futbollit kosovar.
Ndeshja nisi me ritëm të qetë, ku Drita dominoi në posedim, por pa arritur të krijojë raste të pastra shënimi. Megjithatë, në minutat e fundit të pjesës së parë, mysafirët rritën intensitetin dhe fillimisht rrezikuan me Jorgo Pëllumbin, i cili goditi traversën.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 39-të, kur Kristal Abazaj fitoi penallti pas një ndërhyrjeje brenda zonës. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Besnik Krasniqi, i cili realizoi golin që në fund vendosi fatin e takimit.
Në pjesën e dytë, Drita administroi me zgjuarsi epërsinë, ndërsa Prishtina e Re tentoi të reagojë me disa aksione të rrezikshme, por pa sukses për të ndryshuar rezultatin.
Me këtë fitore, Drita shkon në kuotën e 63 pikëve, duke krijuar një epërsi të madhe prej tetë pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Ballkanit, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Në anën tjetër, Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me vetëm 28 pikë të grumbulluara.
