Altin Aliu bën heroin në frymën e fundit, Malisheva “rrëzon” Prishtinën në Hajvali
Malisheva ka marrë një fitore dramatike dhe tejet të rëndësishme në udhëtim ndaj Prishtinës, duke triumfuar minimalisht 0-1 në sfidën e zhvilluar në Hajvali.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, por pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave. Prishtina u shfaq më kërkuese në posedim dhe ndërtim të aksioneve, ndërsa Malisheva u tregua e rrezikshme përmes kundërsulmeve të shpejta.
Drama u rrit në pjesën e dytë, kur vendasit mbetën me një lojtar më pak. Samatic u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Prishtinën në disavantazh numerik në momentet vendimtare të takimit.
Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, në skenë doli Altin Aliu. Sulmuesi i Malishevës shfrytëzoi një top të kthyer në minutën 90+5 dhe e dërgoi në rrjetë, duke shpërthyer festën e mysafirëve dhe duke “heshtur” vendasit në sekondat e fundit.
Me këtë fitore, Malisheva vazhdon marshimin drejt objektivit evropian, duke u renditur në vendin e tretë me 52 pikë. Në anën tjetër, Prishtina mbetet e katërta me 45 pikë, duke humbur një mundësi të artë për t’u afruar më shumë me kreun.
