Shabani takon komandantin e Policisë në Gjilan, fokus bashkëpunimi në menaxhimin e emergjencave
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan, Enver Shabani, së bashku me përfaqësues të sektorit operativ, është pritur në takim nga komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, Besim Rexhepi.
Në këtë takim u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë dhe menaxhimin e situatave emergjente, me theks të veçantë në koordinimin ndërinstitucional.
Shabani theksoi se bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve është thelbësor për reagim të shpejtë dhe efikas në raste emergjente, si dhe për rritjen e nivelit të sigurisë për qytetarët.
Gjatë takimit u diskutua edhe për avancimin e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e sistemeve të komunikimit dhe rritjen e efikasitetit në menaxhimin e emergjencave.
Palët u pajtuan që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të vazhdojë dhe të forcohet edhe më tej në të ardhmen, në funksion të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
