UKZ nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Universum Schools për avancimin e arsimit
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Universum Schools, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit institucional në fushën e arsimit dhe zhvillimit profesional të studentëve.
Memorandumi është nënshkruar nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ushtruesja e detyrës së Dekanes së Fakultetit të Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Nerxhivane Kraniqi, si dhe Drejtori Ekzekutiv i Universum Schools, z. Arbër Morina.
Ky memorandum synon krijimin e një kornize të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet palëve, duke kontribuar në përgatitjen profesionale të studentëve dhe në avancimin e praktikave bashkëkohore në mësimdhënie.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, parashihet realizimi i një sërë aktivitetesh të përbashkëta, si: Mundësimi i praktikës profesionale për studentët e Fakultetit të Edukimit në Universum Schools, ofrimi i mundësive për punësim dhe angazhim profesional për të diplomuarit, organizimi i seminareve, trajnimeve, konferencave dhe aktiviteteve të tjera akademike, shkëmbimi i praktikave më të mira në mësimdhënie dhe integrimi i metodave inovative pedagogjike, zhvillimi i projekteve të përbashkëta edukative, kërkimore dhe zhvillimore, ofrimi i trajnimeve profesionale për stafin e Universum Schools nga Fakulteti i Edukimit, angazhimi i profesorëve dhe ekspertëve në aktivitete akademike të përbashkëta, si dhe realizimi i hulumtimeve dhe publikimeve të përbashkëta në fushën e arsimit.
Palët janë zotuar të bashkëpunojnë në mënyrë profesionale dhe të koordinuar për zbatimin e këtij memorandumi, duke mbështetur realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në përputhje me interesat institucionale.
