Rihapet pas më shumë se tri dekada Galeria e Arteve e Prishtinës
Pas më shumë se tri dekadave ndërprerjeje, në fund të vitit 2025 është rihapur Galeria e Arteve e Prishtinës, një nga institucionet më të rëndësishme të artit pamor në kryeqytet. Inaugurimi zyrtar u bë më 27.12.2025 me ekspozitën “Retrosintezë”, të organizuar nga Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës (AAVK).
E themeluar në vitin 1979, Galeria e Arteve e Prishtinës (GAP) për dekada me radhë ka shërbyer si hapësirë kyçe për promovimin e krijimtarisë artistike në kryeqytet. Megjithatë, në vitin 1990, sikurse edhe shumë institucione të tjera kulturore e arsimore në Kosovë, atë kohë, galeria u mbyll dhunshëm nga regjimi serb, duke lënë një boshllëk të thellë në jetën artistike dhe kulturore të qytetit.
Rihapja e kësaj galerie, e cila gjendet në Pallatin e Rinisë, shihet si një mundësi për krijuesit pamor dhe për të pasuruar skenën kulturore në kryeqytet.
GAP do të bashkëmenaxhohet nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës dhe AAVK, në bazë të marrëveshjes bashkëpunimi, përmes së cilës synohet garantimi i profesionalizmit, transparencë dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të komunitetit artistik në proceset vendimmarrëse.

Rikthimi i një institucioni themelor kulturor
Sibel Halimi, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka thënë për KALLXO.com, se ideja për rihapjen e Galerisë lindi nga nevoja për të rikthyer në jetën publike të kryeqytetit, një institucion themelor kulturor, i cili kishte luajtur rol të rëndësishëm në formësimin estetik dhe identitar të Prishtinës.
“Rihapja e saj nuk u konceptua si një akt thjesht teknik apo administrativ, por si rikthim i kuptimit të artit në hapësirën e saj identitare, në Pallatin e Rinisë. Sot, Galeria e Arteve të Prishtinës (GAP) funksionon si institucion publik kulturor me status juridik, me një mision të qartë për prezantimin, zhvillimin dhe promovimin e artit bashkëkohor, si dhe të trashëgimisë sonë artistike”- ka thënë ajo.
Ndërkaq, kryetari i AAVK-së, Kamuran Goranci, ka bërë të ditur se Asociacioni tashmë e ka programin artistik për këtë vit, i cili do të shpallet publikisht pas miratimit nga Këshilli Artistik i Galerisë.
“Çdo vit në Galeri do të hapen dy projekte tradicionale të AAVK-së dhe së paku një ekspozitë ndërkombëtare, ndërsa numri i përgjithshëm i ekspozitave do të varet nga projektet që do të përzgjidhen përmes thirrjes publike”- ka pohuar ai.
Sa i përket financimit, sipas tij, Komuna e Prishtinës mbulon ambientin fizik, shpenzimet operative, mirëmbajtjen dhe promovimin institucional, ndërsa AAVK është përgjegjëse për organizimin e ekspozitave, përzgjedhjen e artistëve, hartimin dhe zbatimin e programit vjetor, si dhe sigurimin e mbështetjes shtesë nga donatorë.
Zëra kritikë nga skena artistike
Zeni Ballazhi vlerëson se rihapja e Galerisë është një moment i rëndësishëm institucional, por paralajmëron se pa një vizion të qartë dhe politika të qëndrueshme kuratoriale, ekziston rreziku që ajo të mbetet vetëm një akt formal.
Sipas tij, Galeria duhet të funksionojë si platformë prodhimi, reflektimi kritik dhe edukimi, e jo vetëm si hapësirë ekspozimi.
“Përmbushja e këtyre nevojave kërkon programe të qëndrueshme, përfshirje të praktikave bashkëkohore dhe hapje ndaj diskurseve ndërkombëtare, pa e humbur kontekstin lokal. Në këtë kuptim, Galeria duhet të veprojë si platformë prodhimi dhe reflektimi kritik, e jo vetëm si hapësirë prezantuese”- ka thën ai, duke shtuar se menaxhimi i GAP-së duhet të bazohet në parimin e autonomisë institucionale dhe profesionalizmit.
Edhe artisti Veton Gusia e vlerëson rihapjen e Galerisë si hap me rëndësi të madhe për jetën kulturore të Prishtinës.
Galeri duke pasur parasysh pozicionin dhe hapësirën do të luaj rol të rëndësishëm dhe prestigjioz të promovimit të artit. Sipas meje Galerinë duhen menaxhuar me kontrata afatshkurta me të drejtë vazhdimi individë, OJQ duke e matur rezultatin e menaxhimit dhe suksesin në atraktivitetin e rritjes së vizitueshmërisë dhe impaktit në kulturën e qytetit”- ka thënë Gusia, duke ngritur edhe nevojë për më shumë hapjen e më shumë galerive të tilla në kryeqytet.
Historiku – rihapja e GAP-së
Galeria e Arteve e Prishtinës u themelua në vitin 1979, si domosdoshmëri pas themelimit të Akademisë së Arteve në vitin 1973. Veçanërisht gjatë viteve ’80, ajo u shndërrua në një nga shtyllat e ndërgjegjes kulturore të Kryeqytetit, duke reflektuar zhvillimet, tensionet dhe aspiratat shoqërore të kohës.
Nga viti 1990, me mbylljen e dhunshme të institucioneve kulturore shqiptare, arti pamor në Kosovë u hesht institucionalisht.
Rihapja e GAP-së po shihet jo vetëm si rikthim fizik i një hapësire, por si përpjekje për të riaktivizuar kujtesën kulturore dhe për ta bërë atë pjesë të përvojës bashkëkohore.
GAP u rihapë më 27.12.2025, me ekspozitën kolektive “Retrosintezë”, e konceptua si një rilexim i themeleve të artit pamor në Kryeqytet dhe si reflektim mbi vazhdimësinë e tij. Gjatë ekspozitës u ekspozuan vepra të artistëve të njohur si Ibrahim Kodra, Muslim Mulliqi, Gjelosh Gjokaj, Agim Çavderbasha, Rexhep Ferri, Kadrush Rama, Tahir Emra, Nysret Salihihamixhiqi, Adem Kastrati, Hamdi Bardhi e shumë të tjerë. Ajo u kurua nga Zeni Ballazhi, nën drejtimin e Kamuran Gorancit, dhe u realizua nga koleksioni i Fatlum Haliti dhe Mirlinda Safa Haliti.
Ndërkaq u pasua nga ekspozita pasuese ishte Ekspozita Vjetore e Anëtarëve të AAVK-së, që u hap më 04.02.2026, me pjesëmarrjen e rreth 60 artistëve të artit pamor nga Kosova, e cila aktualisht është e hapur për publikun.


