Gjyqtari i njohur francez do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Slloveni – Kosovë
Gjyqtari i njohur francez, i cili referon në ndeshjet e Ligue 1 dhe ato të garave evropiane, Clement Turpin do të jetë gjyqtari i ndeshjes Slloveni – Kosovë.
Ndeshja Slloveni – Kosovë, e cila luhet në kuadër të xhiros së pestë në grupin B të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2026, do të zhvillohet në “Stozice Stadion”, me fillim nga ora 20:45, sonte.
Kjo ndeshje, mjaft e rëndësishme për Kosovën, por edhe për Slloveninë, do të gjykohet nga një prej gjyqtarëve më të mirë evropian, Clement Turpin.
Megjithatë, Turpin nuk ka gjykuar asnjëherë një ndeshje të Kosovës – kjo do të jetë e para.
Ndërkohë, në anën tjetër, Turpin ka ndarë drejtësinë në dy ndeshje të Sllovenisë.

Së pari në kualifikimet e Botërorit të vitit 2022, në humbjen nga Kroacia me rezultat prej 3-0.
Ndeshja tjetër ishte ajo e EURO 2024, ndaj Anglisë, e cila përfundoi pa gola.
Me një pikë të fituar sonte, Kosova e siguron plasmanin në “play-off”, ndërsa fitorja e mbanë në garë për vendin e parë, në varësi të rezultatit të ndeshjes Suedi – Zvicër.
