Aro Muriç: Nuk do firmosja për vendin e dytë, do të rrezikoja për më shumë
Në prag të dy ndeshjeve vendimtare të Kombëtares së Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, portieri i Dardanëve, Arijanet Muriç, ishte i ftuari i radhës në “FFK Podcast”.
Edhe pse nuk do të mund të jetë pjesë e ndeshjes së parë për shkak të pezullimit nga dy kartonë të verdhë, Muriç shfaqi besim dhe motivim të madh për ekipin, duke theksuar se “Kosova është në garë edhe për vendin e parë”.
“Sigurisht, duam të paktën vendin e dytë për të luajtur ‘play-off’-in. Por mendoj se do të jemi në garë me Zvicrën edhe për vendin e parë. Shpresoj kështu. Fillimisht duhet të përqendrohemi në ndeshjen kundër Sllovenisë, jemi në formë shumë të mirë, të gjithë lojtarët janë të shëndetshëm. S’ka lëndime dhe ekipi është i plotë. Vetëm unë s’mund të jem pjesë për shkak të dy kartonëve të verdhë”, tha Muriç, duke shtuar se ekipi është plotësisht gati për dy sfidat e fundit të ciklit kualifikues.
Ai nuk e fsheh keqardhjen që nuk do të jetë pjesë e ekipit në ndeshjen kundër Sllovenisë. “Po, sigurisht që më vjen keq. Do të ishte më e lehtë sikur të luaja. Nëse skuadra humb pa mua, më dhemb më shumë”, theksoi ai, por njëkohësisht shprehu besim të plotë te bashkëlojtarët në portë: “Stërviten njësoj si unë dhe japin maksimumin çdo ditë për t’u përmirësuar, prandaj janë gati”.
Sa i përket atmosferës në kampin e Dardanëve, portieri i Kombëtares u shpreh optimist: “Ne nuk kemi frikë. Nuk ka tension apo energji negative në ekip për ndeshjen e radhës. Dhe nuk duhet të kemi frikë ta luajmë ndeshjen. Nuk kemi presion, vetëm energji pozitive. Dhe kur i shikoj lojtarët, më duket që të gjithë e ndjejnë njësoj. Të gjithë janë të motivuar, kjo më jep ndjesi shumë pozitive”, shtoi Muriç.
Në pyetjen nëse do të ishte i kënaqur me një vend në “play-off”, Muriç u përgjigj: “Sinqerisht, nuk e kam menduar sepse aktualisht po luftojmë për vendin e parë. Nuk jam i sigurt se do të firmosja për vendin e dytë, do të rrezikoja për më shumë”, tha Aro.
Ai theksoi se beson fuqishëm në mundësinë e Kosovës për ta mposhtur Zvicrën në ndeshjen e fundit në Prishtinë, në rast se ajo rezulton vendimtare për kualifikim: “Sigurisht. Çdo kundërshtar e ka të vështirë të luajë në Kosovë. Mendoj se kemi më shumë gjasa të fitojmë sesa ata. Ndeshja e parë atje ishte e vështirë, por në Prishtinë është ndryshe. Ndihem shumë mirë të luaj këtu –do e doja shumë një ndeshje të tillë”.
Tutje Muriç foli për karrierën e tij me Kombëtaren dhe klubet, duke kujtuar debutimin e tij ndaj Azerbajxhanit dhe disa nga momentet më të veçanta me fanellën e Kosovës. “Ndeshja ndaj Republikës Çeke në Prishtinë ishte shumë e veçantë. Ata ishin në formë të lartë, por ne luajtëm shkëlqyeshëm. Edhe ajo ndaj Suedisë 2–0 ishte shumë e bukur”, u shpreh ai.
Portieri 27-vjeçar tregoi edhe për rrugëtimin e tij në klubet evropiane, teksa theksoi se një kohë pauzoi nga futbolli.
“Pasi u largova nga Grasshoppers, e ndalova futbollin për rreth 8 muaj”, tha ai, teksa më pas foli për periudhën te Manchester City dhe punën me Pep Guardiolën. “Ai ishte i mrekullueshëm si person për mua personalisht, sepse isha një nga lojtarët më të rinj. Ai ishte i mrekullueshëm. Sigurisht, si lojtar i ri, ndonjëherë bën disa gjëra që nuk janë të mira për futbollistët. Mendoj se Pep gjithmonë ka qenë shumë i mirë me mua, kështu që ai gjithmonë thoshte se do të më mësonte se isha ende i ri, nuk i ndëshkonte futbollistët dhe gjithmonë ishte pozitiv. Ai ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm. Ishte një ëndërr të stërvitesha me të”, tha Muriç.
Intervistën e plotë me Arijanet Muriç mund ta ndiqni në episodin e 5-të të “FFK Podcast” në kanalin zyrtar të FFK-së në Youtube
