Gjilan: Të miturit përfshihen në përleshje në shkollë, dy nxënës përfundojnë në spital
Përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme në vendin tonë janë shumë të shpeshta.
Një i tillë është raportuar dje në oborrin e shkollës së mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan, ku disa të rinj janë përfshirë në një përleshje që ka përfunduar me lëndime të rënda trupore.
Sic mësohet nga burime mediale, ngjarja ka ndodhur dje në mesditë, rreth orës 12:50, kur është raportuar për një rrahje mes disa nxënësve në kampusin e shkollave të mesme.
Ekipet patrulluese kanë reaguar menjëherë, duke siguruar vendin e ngjarjes dhe mbledhur informacione fillestare.
Hetimet kanë konstatuar se i dyshuari L. B., rreth 14-vjeçar, nxënës i mitur, ka sulmuar me një mjet të mprehtë dy bashkëmoshatarë: R. L., rreth 17-vjeçar dhe I. H., rreth 16-vjeçar.
Si pasojë e sulmit, të miturit kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente pranë Spitalit të Gjilanit, ku u është ofruar ndihma mjekësore.
