Pas rrebesheve në fillim të javës, kthjellimet rikthejnë atmosferën e qetë – mëngjeset mjaft të ftohta
Pas reshjeve që karakterizuan ditët e fundit të javës që lamë pas, ato do të mbeten të pranishme edhe në fillim të javës, ndërsa më pas pritet përmirësim gradual i motit.
Edhe dita e hënë do të karakterizohet me mot kryesisht të vranët, ku gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes priten reshje të reja shiu në shkallë vendi. Lokalisht, reshjet mund të jenë në formë rrebeshi dhe të shoqërohen me shkarkesa rrufesh.
Të martën, pas reshjeve lokale gjatë orëve të para të 24-orëshit, mëngjesi do të vijojë me vranësira, ndërsa gjatë ditës pritet kthjellim i motit.
Nga dita e mërkurë e deri në fundjavë, parashikohet mot kryesisht me diell, ndërsa vranësirat do të jenë më të theksuara të dielën. Mëngjeset do të mbeten të ftohta, ndërsa ditët më të ngrohta.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, me shpejtësi prej 10-33 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -1°C deri në 11°C, ndërsa ato maksimale prej 11°C deri në 16°C. /MeteoKosova/
