
Kreu i Bujanocit, Arbër Pajaziti uroi Edi Ramën për fitoren e zgjedhjeve në Shqipëri
Zgjedhjet në Shqipëri kanë prodhuar opinione e qëndrime të ndryshme gjithandej hapësirës shqiptare. Ndër reagimet e shumëta, pas rezultateve preliminare, ishte edhe ai i kryetarit të Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili e uroi kreun e PS-së, z. Rama.

Në urimin e tij, Pajaziti theksoi se me këtë fitore u konfirmua përkushtimi dhe vizioni europian i Shqipërisë.
“Kjo fitore është konfirmim i mbështetjes së qytetarëve për vizionin dhe angazhimin tuaj për një Shqipëri më të zhvilluar, më të drejtë dhe më afër Bashkimit Evropian”, shkroi vec tjerash Pajaziti.
U R I M I i P L O T Ë
I nderuar Kryeministër, z.Edi Rama
Dëshiroj t’ju shpreh urimet më të përzemërta për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë.
Kjo fitore është konfirmim i mbështetjes së qytetarëve për vizionin dhe angazhimin tuaj për një Shqipëri më të zhvilluar, më të drejtë dhe më afër Bashkimit Evropian.
Besojmë fuqishëm se në këtë mandat të ri do të thellohen reformat dhe do të përshpejtohet rruga drejt integrimit evropian.
Në të njëjtën kohë, shprehim besimin tonë se do të vijojë angazhimi juaj për fuqizimin rajonal, përmes bashkëpunimit të ngushtë me shqiptarët në rajon dhe forcimit të rolit të Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe zhvillimi.
Shpresojmë që mbështetja institucionale për shqiptarët në Luginë, e në veçanti në Komunën e Bujanocit, të mbetet një prioritet i përhershëm, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve jetësore, fuqizimin e të drejtave kolektive dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Duke ju uruar suksese të mëtejshme në udhëheqjen e shtetit shqiptar, ju përcjell respektin dhe konsideratën më të lartë.
Me respekt,
Arbër Pajaziti
Kryetar i Komunës së Bujanocit
