Promovohet libri “Zejtaria e Gjilanit (Gjysma e parë e shekullit XX)” i autorëve Aliriza Selmani dhe Faik Neziri (video)
Në ambientet e Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli“ në Gjilan është promovuar libri “Zejtaria e Gjilanit (Gjysma e parë e shekullit XX)” i autorëve Aliriza Selmani dhe Faik Neziri.
Ky libër që kishte ngjallur interes të veçantë tek lexuesi është pritur me kërshëri të madhe pasi që është shkruar nga mr. Aliriza Selmani, studiues i njohur i Rajonit të Anamoravës dhe Faik Neziri, një autor i ri, por tejet i veçantë, shkruan kryelajmi.com.
Leonora Morina – Bunjaku, nënkryetare e komunës, ka thënë se për të është nder të marrë pjesë në promovimin e një libri të tillë, i cili është më shumë se një libër, që paraqet një trashëgimi të pasur të Gjilanit dhe që dëshmon se ky ka traditë të zejeve dhe se ky libër ka kuptimin e mos harrimit të traditave ndër breza.
“Ky është një libër-dhuratë për çdo gjeneratë për të njohur rrënjët e tyre”, ka thënë Bunjaku.
Fillimisht për librin ka folur redaktori Behlul Brestovci, i cili ka thënë se ky libër është rezultat i punës trevjeçare të autorëve dhe që është me një tekst të pasur dhe që ka 390 faqe. Behluli librin libri “Zejtaria e Gjilanit (Gjysma e parë e shekullit XX)” i autorëve Aliriza Selmani dhe Faik Neziri e ka cilësuar të veçantë dhe pasi ka folur për historinë e popullit shqiptar ndër shekuj, ka thënë se zejtarët kanë luajtur një rol me rëndësi e kjo monografi është një përpjekje për të nxjerrë në dritë të kaluarën tonë. Sipas tij, autorët volën dokumente, bibliografi, folën me njerëz të moshave të ndryshme. Behluli paso ka folur për secilin kapitull veç e veç, ka shtuar se në libër flitet për zejtarët, Çarshinë e Gjilanit, llojet e zejeve, mënyrën e marrjes së lejes, zejet e veçanta, prodhimet zejtare, panairet, familjet e shpërngulura në Turqi, pasojat e pasluftës dhe aspekte të tjera.
Ai e vlerësoi shumë lart këtë libër, i cili do të shërbejë shumë për hulumtime të mëtejme dhe krijimin e librave të rinj.
Rahim Azemi, recensent foli për lidhjen e shoqërisë dhe të zejtarisë si dhe historinë e kësaj lidhje, duke thënë se libri që lexuesit do ta kenë në dorë fletë për veprimtarinë e zejtarëve e për të cilin autorët kanë hulumtuar dokumente të bollshme. Ai ka veçuar rolin e esnafeve, kallfëve e shegertëve dhe ka shtuar se ky libër paraqet një kontribut të jashtëzakonshëm e ku autorët kanë sjellë restaurimin teorik të zejtarëve, rolin e tyre në shoqëri, kontributin e tyre për kulturë, rini e sporte dhe që është një libër që përmbush kriteret shkencore dhe që ka vlerë për të hapur shtigje të reja të hulumtimit.
Emin Selimi, historian, studiuesit Selmani e Neziri i ka cilësuar të mirëfilltë e veprën e tyre me peshë të madhe si një muze i shkruar. Ata bënë hulumtime të thelluara, sjellin informacione për hapësirat e zejeve dhe dëshmuan se zejtaria është edhe kulturë, ngase atë e ka krijuar mendja dhe dora e popullit. Këtu dëshmohet se gjilanasit kishin një krijimtari të bujshme, e cila mjerisht nuk është ruajtur. Autorët kanë evidentuar mbi 50 zeje, kohën e ushtrimit të zejeve, personat, biografi të zejtarëve të Gjilanit dhe aspekte të tjera.
Faik Neziri, njëri nga autorët , tha se bashkë me kolegun e tij, Aliriza Selmani kanë bërë një punë hulumtuese trevjeçare dhe se ishin të përkushtuar për hulumtim sa më objektiv. “Kemi hasur në të dhëna se zejtarët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimet e gjithmbarshme në Gjilan dhe se nga ta dolën gjenerata dhe një plejadë e rëndësishme që kontribuuan në të mirën e Gjilanit dhe të Kosovës. Shfletuam dokumente, 96 libra, gazeta, ligje etj. dhe gjithëçka është e bazuar dhe e faktuar, kurse plotësimi i kësaj monografie mbetet i hapur nga gjeneratat e ardshme”, ka thënë Faik Neziri.
Aliriza Selmani, magjistër i historisë, hulumtues i kahershëm i cili me decenie tëra bënë hulumtime për Gjilanin dhe Anamoravën dhe për disa vite me radhë drejtor në Arkivin Ndërajonal të Gjilanit, pasi ka përshëndetur të pranishmit dhe sidmos pasardhësit e familjeve zejtare, ka thënë se cdo zeje i ka karakteristikat e veta dhe se në hulumtimin e tyre nëpër dokumente ka dokumente të bollshme, por edhe gjëra që shumë përsëriten. Sipas Selmanit, zejtari pati edhe në shekullin XIX, por për to nuk pati dokumente të bollshme, por vetëm sallname të Perandorisë Osmane.
Sipas Selmanit, Gjilani u zhvillua shumë shpejt falë edhe zejtarëve dhe pozitës së mirë gjeografike, ai nuk la pa përmendur edhe atë që edhe vetë e kishte mbajtur në mendje nga koha kur kishte qenë i ri, foli edhe për shpërnguljet e zejtarëve në Turqi, diskriminimin nacional në zejtari, ngase shqiptarët ishin të detyruar të merren me zejet më të rënda, pastaj vështirësitë në marrjen e lejes së punës, ngarkesën me taksa të rënda e me punët e rënda në zanate dhe presionin ekonomik e të gjitha këto ndikuan në shpërnguljen e zejtarëve për në Turqi, e që janë evidentuar në këtë libër me vlerë.