Përfundon misioni 27-vjeçar: IKSHPK përcjell në pension mikrobiologen Ajhane Sefiu, ish-drejtoreshën e QRSHP Gjilan
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka përcjellë në pension Dr. Ajhane Sefiu, specialiste e mikrobiologjisë që për vite me radhë drejtoi Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan.
Pas 27 vitesh shërbim të pandërprerë në shëndetësinë publike, Dr. Sefiu mbyll një kapitull të gjatë profesional që la gjurmë në rajonin e Anamoravës.
Drejtoresha Ekzekutive e IKSHPK-së, Dr. Ardita Baraku, vlerësoi Dr. Sefiu si “profesioniste të palodhur dhe udhëheqëse të përkushtuar”, duke nënvizuar se ajo ishte shtyllë e palëkundur e shëndetit publik në Gjilan.
Për gati tri dekada, Dr. Sefiu shërbeu si mikrobiologe dhe drejtoi me përgjegjësi QRSHP-në, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, menaxhimin e situatave epidemiologjike dhe ngritjen e standardeve profesionale.
“Kontributi i Dr. Sefiu ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e zhvillimit të QRSHP Gjilan dhe në kujtesën e kolegëve,” thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Në fjalën e saj të lamtumirës, Dr. Ajhane Sefiu falënderoi kolegët dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen gjatë gjithë viteve. Ajo uroi që shërbimet e shëndetit publik në vend të avancojnë edhe më tej.
IKSHPK i uroi Dr. Sefiu shëndet, lumturi dhe shumë gëzime në këtë fazë të re të jetës, pranë familjes dhe të dashurve.
