Gjilan: Burri recidivist i dhunës në familje kapet me gruan e djalin, u kërkon të largohen nga shtëpia
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në Gjilan, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe djalit të tyre.
Mësohet se si pasojë e dhunës së përjetuar, gruaja bashkë me djalin kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre.
Bazuar në deklaratat e tyre, i dyshuari, i cili është recidivist i dhunës në familje qe rreth 2 muaj po ushtron dhunë psikike ndaj tyre dhe po u kërkon që të largohen nga shtëpia.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.