Kuvendarët e Gjilanit miratojnë vendimin për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 deri në vlerën 100 euro
Gjilan, 30 nëntor / Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në mbledhjen e sotme, nën kryesimin e Kushtrim Kadriut, ka miratuar propozim-vendimin për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 për të gjithë tatimpaguesit, deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se njëqind (100) euro, të cilin e paraqiti Krenare Latifi Kqiku (LVV) dhe u përkrah nga të gjithë vendimmarrësit e pranishëm.
Në rast se tatimpaguesi e ka paguar faturën për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitin pasues.
Kuvendi ka miratuar edhe strategjinë komunale për komunikim publik 2023-2027, e cila ka për qëllim të avancojë praktikat dhe kapacitetet komunikuese, llogaridhënien dhe transparencën kundrejt qytetarëve, për të inkurajuar përfshirjen e tyre sa më aktive në proceset vendimmarrëse.
Avdyl Aliu (LDK) tha se strategjia është hartuar në bashkëpunim me programin e USAID-it – Kontrata Sociale dhe i ftoi këshilltarët që ta miratojnë atë.
Kuvendarët u njoftuan nga drejtori Bajram Isufi edhe për ndarjen e subvencioneve në bujqësi, për korrje-shirjet si dhe për mbjelljet vjeshtore.
Kuvendi miratoi gjithashtu vendimin për caktimin e normave tatimore për vitin 2024, të cilin e prezantoi Ilmi Limoni nga Drejtoria për Buxhet.
Kuvendi themeloi edhe grupin punues për hartimin e planit vjetor të punës së për vitin 2024, në përbërje prej 9 anëtarësh.
Gjithashtu, Kuvendi formoi një komision, i cili do të kërkojë llogari për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga të gjitha organizatat që kanë përfituar subvencione në kulturë, rini e sport për vitet 2022/23/24, që ishte kërkesë e përfaqësuesit të AAK-së, Nazim Gagica.
Ndërkaq propozimi për lirimin e të gjitha bizneseve nga taksa komunale për vitin 2023, me arsyetim se mungon një raport i detajuar, sikurse edhe raporti i Komisionit për dezinsektim dhe ai i komisionit për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave në procesin e emërtimit, me arsyetim se nuk janë të nënshkruara nga anëtarët, janë shtyrë për seancën e radhës.
Po ashtu për shkak të nevojës për sqarime shtesë, për seancën e radhës u shty edhe propozimi për përcaktimin e vlerës së qirasë dhe vlerës në bonuset e banimit në dy programe.
Jashtë rendit të punës, Bujar Nevzati, në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së, ka kërkuar nga Kryetari i Komunës që t`i sistemojë në vendet e tyre punës 19 zyrtarë komunalë, të cilët dolën të pafajshëm në një proces gjyqësor ndaj grupit prej 39 personave, që zgjati 7 vjet.
Ai tha se Drejtoria për Buxhet duhet t`i kryej të gjitha obligimet ndaj tyre, sipas ligjit. Zyrtarëve të suspenduar duhet t`u kompensohen të gjitha shpenzimet që kanë qenë të detyruar t`i bëjnë përgjatë këtij procesi, ku ata ishin akuzuar padrejtësisht, ndërsa familjeve të zyrtarëve të vdekur duhet t`u kompensohen pagat dhe t`u mbulohen shpenzimet.
Ndërkaq, një grup i nxënësve, të cilët kanë mbetur pa u regjistruar në shkollën e mesme të Mjekësisë, kërkuan zgjidhje për problemin e tyre, që të mos e humbin vitin, duke nënvizuar se mes tyre ka nxënës të shkëlqyeshëm dhe që kanë pasur pikë të mjaftueshme për pranim.
Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit, ka thënë se ne mund të bëjmë vetëm një rekomandim në lidhje me këtë problem, ndërsa është obligim i Drejtorisë së Arsimit që të gjejë një zgjidhje për këtë grup të nxënësve.
Përndryshe, sa i përket ndarjes së bursave, Gentrit Murseli tha se i kanë evidentuar 30 gabime teknike te poentimi dhe këto vërejtje të grupit të këshilltarëve të LDK-së do t`i dërgojnë te komisioni i ankesave.