Rast i rëndë në Gjilan: Gruaja vdes pasi ra në bunar, dyshohet për vetëvrasje
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në një familje në rrugën “Mustafë Kokaj” në Gjilan, ku një grua ka humbur jetën tragjikisht. E ndjera ka rënë në bunarin e shtëpisë së një fqinji dhe përkundër që iu dha ndihma e parë pasi u nxor, ajo s’arriti të mbijetojë, raportojnë media online.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima është S. F. 55-vjeçare, vdekjen e së cilës e ka konfirmuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes.
Sipas informacioneve të para, viktima dyshohet se kishte vendosur t’i japë fund jetës duke rënë në bunar, gati shtatë orë pasi u largua nga shtëpia e saj.
Pas përfundimit të ekzaminimeve edhe nga ana e Policisë, trupi i pajetë i viktimës është tërhequr për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”.