Çfarë dihet për digën e shkatërruar ukrainase dhe cilat janë pasojat?
Diga Nova Kahovka, impiant hidroelektrik i epokës sovjetike në lumin Dnjepër, në jug të Ukrainës, është shkatërruar në mesnatën e 6 qershorit.
Si pasojë e dëmeve, uji ka vërshuar fshatra e qyteza dhe ka rezultuar me evakuim të mijëra personave.
Ukraina e ka fajësuar Rusinë për këtë sulm, e cila e ka kontrolluar zonën rreth digës, prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.
Pala ruse, në anën tjetër, e ka akuzuar Ukrainën për shkatërrim të digës, me qëllim të, siç ka thënë ajo, tërheqjes së vëmendjes nga mungesa e suksesit në fushëbetejë.
Asnjëra palë nuk ka ofruar dëshmi për pretendimet e bëra.
*Video nga shpërthimi në digë
Për këtë incident raportohet rreth gjashtë muaj pasi Ukraina i ka rikthyer disa pjesë të rajonit Herson në perëndim të lumit Dnjepër, përfshirë qytetin e Hersonit.
Po ashtu, këto ditë, ka shumë zëra se pritet të nisë kundërofensiva e madhe ukrainase kundër forcave ruse dhe mund ta ndryshojë kahen e luftës.
Një gjë është e sigurt: vërshimet mund të kthehen në katastrofën më të madhe mjedisore, prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, rreth 16 muaj më parë.
Çfarë i ndodhi digës?
Nuk dihet saktësisht.
E ndërtuar më 1954 për të prodhuar rrymë për jugun e Ukrainës, diga 3-kilometërshe, e njohur si Nova Kahovka, ose thjesht Kahovka, është një prej gjashtë hidrocentraleve në lumin Dnjepër, i cili shtrihet në 980 kilometra – prej Bjellorusisë në veri, e deri te Deti i Zi në jug.
Diga është kontrolluar nga forcat ruse, prej kur ka nisur lufta, vitin e kaluar.
Ajo është dëmtuar edhe paraprakisht, fillimisht në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit.
Më pas, rreth 11 nëntorit, një shpërthim, që besohet të jetë shkaktuar nga trupat ushtarake ruse, e ka shkatërruar pjesën rrugore mbi strukturën e digës.
Pas këtyre dëmeve, disa vëzhgues kanë paralajmëruar që ekziston mundësia që diga të rrëzohet vetë.
Prej tërheqjes nga bregu perëndimor, forcat ruse kanë dalë në anën e kundërt të bregut, kanë krijuar fortifikime dhe kanë përhapur mina tokësore, për të pamundësuar kalimin e ukrainasve në atë pjesë.
Ata e kanë përdorur bregun perëndimor edhe për të bllokuar qytetin e Hersonit dhe rajonet përreth, duke e terrorizuar atë zonë, pas lajmit për çlirim të Hersonit nga forcat ukrainase në nëntor.
Diku rreth orës 3:00 të mëngjesit, të 6 qershorit, zyrtarët ukrainas kanë thënë se një pjesë e digës është rrëzuar dhe më pas kanë nisur vërshimet.
Kompania kombëtare për hidrocentrale ka thënë se ura është shkatërruar nga një shpërthim në pjesën inxhinierike.
“Stacioni nuk mund të rikthehet”, ka thënë ajo.
Zyrtarët ukrainas e kanë fajësuar Rusinë.
“Terroristët rusë”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ,në një postim në rrjetet sociale.
“Shkatërrimi në hidrocentralin në Kahovka, vetëm ia konfirmon gjithë botës se ata duhet të dëbohen nga secili cep i tokës ukrainase”.
Njësiti i inteligjencës në ushtrinë ukrainase, ka paralajmëruar në tetorin e vitit të kaluar se forcat ruse kanë vendosur mina në disa pjesë të digës.
Zyrtarë të instaluar nga Moska në rajonin e Hersonit, që është ende i pushtuar nga forcat ruse, e kanë akuzuar Kievin, se e ka sulmuar digën me raketa.
Zyrtarë tjerë rusë në rajon, megjithatë, kanë dyshuar se diga është rrëzuar vetë, për shkak të dëmeve paraprake.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka akuzuar Ukrainën për “sabotazh” dhe ka paralajmëruar për “pasoja shumë të rënda” për banorët.
Ai ka thënë se Ukraina e ka shkatërruar digën për ta tërhequr vëmendjen prej mungesës së suksesit në fushëbetejë.
Si është situata me vërshime?
E keqe. Zyrtarë ukrainas për emergjenca kanë nisur të evakuojnë mijëra njerëz nga zona afër bregut perëndimor të lumit, pasi nivelet e ujit janë rritur.
Në disa incizime të bëra nga Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë, dhe incizime tjera që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, shihen rrugë të shumta të fshatrave të mbushura me ujë.
Qyteti Nova Kahovka, i cili para luftës i ka pasur rreth 70.000 banorë, është vërshuar pjesërisht nga uji, sidomos lagjet që janë afër lumit.
Zyrtarë të qytetit kanë thënë se frikësohen që të gjitha kafshët në kopshtin zoologjik mund të kenë ngordhur.
Rreth 70 kilometra larg është qyteti i Hersonit – qendra administrative e atij rajoni – i cili në pasditen e 6 qershorit, rreth 12 orë pas shkatërrimit të digës, ka raportuar për nivele në rritje të ujit nëpër disa pjesë.
Vërshimet i kanë marrë me vete edhe mbetjet e Urës Antonovski, e cila është bërë e pakalueshme, si pasojë e bombardimeve të vazhdueshme të forcave ukrainase dhe atyre ruse.
“Evakuimet kanë nisur. U kërkoj të bëni gjithçka që mundeni për të shpëtuar jetë. Largohuni menjëherë nga zonat e rrezikshme”, ka thënë Oleksandr Prokudin, udhëheqës i administratës ushtarake të rajonit të Hersonit.
Në tetor të vitit të kaluar, kompania suedeze për hidrocentrale, Damningsverket, është angazhuar për të propozuar një model se çfarë mund të ndodhë nëse shkatërrohet diga Kahovka.
Ajo ka gjetur se në disa pjesë, uji jo vetëm që mund të prekë grykën e lumit, por që mund ta drejtojë ujin drejt lumit Pivdeni Buh në Mikollaiv, një port i rëndësishëm lumor i Ukrainës.
“Modeli i bazuar në skenarin më të keq të mundshëm”, është thënë në dokumentin e kompanisë suedeze, sipas së cilit “valë 4-5 metra të gjata mund të godasin Urën Antonovski, në lindje të Hersonit rreth 19 orë më vonë, më pas mund të ketë vërshime në lumin Inhulets, dhe pas katër apo pesë ditësh, mund të ketë vërshime në lumin Pivdeni Buh në Mikollaiv”.
Në Mikollaiv, një tren për emergjenca është nisur në mesditën e 6 qershorit drejt juglindjes, për të ndihmuar në evakuim të njerëzve që janë bërë gati për t’u larguar nga Hersoni.
Pas raportimeve për shkatërrim të digës, shefi i kompanisë, Damningsverket, Henrik Oelander-Hjalmarsson, ka thënë se nivelet e ujit në rezervuar, janë në nivelet më të larta në 30 vjetët e fundit, pasi, ka shumë mundësi që portat për vërshime nuk janë hapur, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.
“Është një katastrofë masive dhe jam thellësisht i mërzitur që rusët e kanë bërë këtë gjë”, ka thënë kryetari i Hersonit, Oleksandr Syenkevych.
Mund të bëhet edhe më keq
Rezervuari i formuar me ndihmën e digës shtrihet mbi lumë, rreth 100 kilometra në veri, dhe më pas zgjerohet në Rezervuarin Kahovka.
Rezervuari është burimi i vetëm i ujit për centralin bërthamor në Zaporizhja – më të madhin në Evropë – i cili gjendet në afërsi.
Edhe centrali, sikurse diga, kanë qenë nën kontrollin rus, prej marsit të vitit 2022.
Inxhinierët ukrainas dhe operatorët janë duke punuar nën urdhrat e zyrtarëve rusë, që atëherë.
Puna e reaktorëve në central është ndalur dhe ata nuk prodhojnë rrymë prej muajit shtator, pasi në atë periudhë, ka pasur shqetësime se luftimet e ashpra prej forcave ukrainase dhe atyre ruse, mund të çojnë në katastrofë.
Megjithatë, dëmet në digë e rrezikojnë centralin, për shkak të uljes së nivelit të ujit, dhe kështu mund të dëmtohen zonat që e ftohin bërthamën e karburantit radioaktiv.
Uji mund të riqarkullojë, të përdoret disa herë, mirëpo nëse nivelet bien shumë, temperatura e ujit në central mund të rritet.
Nëse uji arrin pikën e vlimit, bërthamat mund të shkrihen ose shpërthejnë.
Në pasditen e 6 qershorit, zyrtarët në qytetin Nikopol, i cili gjendet në veri të centralit bërthamor, kanë thënë se nivelet e ujit veçse kanë rënë për 1.5 metra.
Enerhoatom, kompania shtetërore ukrainase, e cila e mbikëqyr centralin bërthamor Zaporizhja, ka thënë në pasditen e 6 qershorit se nivelet e ujit nuk janë duke rrezikuar punën.
“Edhe nëse nuk do të ketë aspak ujë në Rezervuarin Kahovka, centrali ka aftësi të rimbushet, duke e përdorur ujin nëntokësor”, ka thënë shefi Petro Kotin.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, ka thënë se është duke e monitoruar nga afër situatën në central.
“Momentalisht, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë bërthamore në central”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.
Dilemë më e madhe do të ekzistojë në verë dhe vjeshtë, kur nivelet e lumit, në përgjithësi, do të bien, dhe zyrtarët ukrainas do të duhet të kompensojnë sasinë me lirim të një sasie më të madhe të ujit nga rezervuari lart.
Çfarë do të thotë kjo situatë për Krimenë?
Rënia e nivelit të ujit në pjesën e sipërme të lumit, në mungesë të digës, mund të rrezikojë edhe Krimenë.
Gadishulli ukrainas i Krimesë, i cili ka qenë nën kontrollin e Rusisë prej marsit të vitit 2014, është zonë e nxehtë dhe burimet ujore i ka të kufizuara.
Për këtë arsye, autoritetet sovjetike e kanë ndërtuar një kanal 402 kilometra të gjatë në vitet 1960, i cili shtrihet prej qytetit Tasvisk, e nëpër zona bujqësore.
Për shkak të motit të nxehtë dhe mungesës së shiut, Kanali i Krimesë së Veriut, e ka një rëndësi shumë të madhe.
Pas aneksimit të këtij gadishulli nga Rusia, zyrtarët ukrainas e kanë vënë një digë në kanal, çka ka rezultuar me mungesa të ujit në rajon.
Pas nisjes së luftës më 2022, trupat ruse e kanë zotëruar kanalin dhe e kanë hequr digën penguese, duke i rikthyer furnizimet.
Në një deklaratë të bërë në Telegram, në mëngjesin e 6 qershorit, guvernatori i Krimesë, i emëruar nga Rusia, Sergei Aksyonov, ka thënë se rajoni ka rezerva adekuate në rezervuar – rreth 80 për qind – mirëpo ka tërhequr vërejtjen që nivelet e ujit mund të bien, sidomos nëse rajoni hyn në sezon të nxehtë veror.
Sa u përket rajoneve bujqësore që janë nën kontrollin e Rusisë – disa pjesë të rajoneve në Zaporizhja dhe Herson – mungesa e ujit të mjaftueshëm, mund të jetë, po ashtu, katastrofale.
Kush përfiton?
Shkatërrimi që veçse ka nisur në pjesën e poshtme të digës, mund t’i godasë kryesisht rajonet e kontrolluara nga ukrainasit, në pjesën perëndimore të Dnjeprit, ndonëse edhe disa rajone në lindje – përfshirë qytetin Nova Kahovka – janë prekur, po ashtu.
Kjo, plus fakti që diga ka qenë nën kontrollin rus për më shumë se një vit, ka ndikuar që shumë vëzhgues të drejtojnë gishtin kah autoritetet ruse.
Këtu shtohen edhe diskutimet për kundërofensivë ukrainase, e cila pritet të nisë në disa lokacione përgjatë 1.000 kilometrave, sa është vija e frontit.
Ajo niset prej grykës së Dnjeprit në kufi me Rusinë, e deri në verilindje të qytetit Harkiv.
Në muajt e fundit është raportuar se komandot ukrainase dhe disa njësite sabotimi janë në disa lokacione të kontrolluara nga rusët në Dnjepër.
Vërshimet e rajoneve mund t’ua bëjnë atyre kalimin më problematik dhe t’ua ofrojnë forcave ruse edhe një shtresë të re mbrojtëse.
Vërshimet dhe evakuimet do të tërheqin edhe vëmendjen, por edhe burimet e autoriteteve ukrainase, të cilat, në një realitet tjetër, do të mund të ishin duke e mbështetur kundërofensivën.
“Ata kanë menduar që kështu, në këtë mënyrë, do të mund ta ndalin kundërofensivën e forcave ukrainase”, ka thënë Natalya Humenyuk, zëdhënëse e komandës së ushtrisë ukrainase në pjesën jugore.
Këtu ekziston një precedent.
Më 1941, teksa trupat naziste në Gjermani kanë tentuar të hyjnë në Ukrainë – atëbotë sovjetike – Josef Stalin, ka urdhëruar shkatërrimin e digës në qytetin Zaporizhja, ashtu që të pengohet avancimi i nazistëve.
Një vendim i tillë ka rezultuar me vërshim të fshatrave në brigjet e Dnjeprit, duke lënë të vdekur mijëra persona.
Në përgjithësi, shkatërrimi i digës do të ketë ndikim afatgjatë në atë sesi Ukraina do ta ruajë dhe shpërndajë ujin, jo vetëm për prodhim të energjisë, por edhe për nevoja bujqësore, ka thënë Mykhaylo Yatsyuk, drejtor i Institutit për Probleme me Ujë, i cili funksionon në kuadër të Akademisë së Shkencave Bujqësore.
“Është e domosdoshme ta kuptojmë se dy të tretat e ekonomisë ukrainase janë të lidhura me kaskadat e rezervuarëve të Dnjeprit”, i ka thënë ai Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.