Arrestohet personi që kërcënoi nënkryetaren e Leposaviqit, Sveçla: Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund
Nënkryetarja e Leposaviqit, Dragana Miletiq, kishte raportuar në Polici se është kërcënuar. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar se tashmë koha e pandëshkueshmërisë në veri ka marrë fund.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të një personi që ka kërcënuar nënkryetaren e komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq. Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka shkruar se tashmë koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.
“Krimi dhe kërcënimi nuk kalojnë. Pardje është ndaluar kontrabanda me mallra, dje është konfiskuar vetura në kërkim ndërkombëtar, sot është arrestuar personi që ka kërcënuar nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, znj. Dragana Miletic. Të gjitha këto në veri të vendit. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”, ka shkruar ai.
Një person me inicialet B.D. është ndaluar të martën e gjashtë qershorit, pasi dyshohet se e ka kanosur nënkryetaren e Leposaviqit, Dragana Miletiq. Miletiq kishte raportuar në Polici se është kërcënuar.
Ajo kishte kërkuar mbrojtje nga Policia e Kosovës, ndërsa ende nuk është hapur rast, pasi Miletiq rastin sapo e ka raportuar. Dragana Miletiq është zgjedhur nënkryetare e Asamblesë Komunale në Leposaviq.
Kryetari i ri i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, të enjten e 25 majit ka bërë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.
Prej 29 majit, serbët lokalë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.
Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse dhe 52 serbë.