Kush është Putin dhe a është njeriu më i pasur në botë?
Vladimir Putin u lind më 7 tetor 1952 në Leningrad. Në vitin 1975 u diplomua për jurisprudencë në Universitetin e Leningradit dhe më pas u rekrutua në KGB. KGB e dërgoi me mision në Gjermanin Lindore ku pa me sytë e tij rënien e murit të Berlinit dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
Në vitin 1999, Boris Yeltis e emëroi Vladimir Putin si kryeministrin e Rusisë dhe në vitin 2000 i dorëzoi pushtetin e presidentit.
Putin dhe institucionet demokratike, janë si dy drejtëza paralele të cilat nuk puthiten kurrë. Kjo tregohet në rotacionin e pushtetit me mikun e tij Medvedev nga vitet 2000 deri sot.
Në marrëdhëniet diplomatike Putin deklaroi “ Vetëm interesat reale të vendit tonë, duke përfshirë interesat ekonomikë duhet të jenë ligji për diplomatët rusë, Rusia para gjithçkaje”.
Në 2008 Rusia sulmoi Gjeorgjinë dhe mbështeti separatistët. Në 2014 aneksoi Krimenë nga Ukraina dhe mbështeti separatistët.
Në 2018 ish-agjenti rus, Sergei Skripal u helmua në Londër. Në vitin 2015 Vladimir Putin në fjalimin e tij UNGA sulmoi Evropën dukë iu thënë: Askush prej jush nuk interesohet për të drejtat e njeriut.
Megjithë problemet që po has e gjithe bota dhe ekonomia ruse nga kriza, popullariteti i Presidentit Vladimir Putin ka arritur nivele rekord. Sanksionet perëndimore kundër Moskës nuk kanë arritur ta ndalin përfshirjen e Rusisë në Ukrainë.
“Ai ka bindjen se Rusisë ia bënë me hile në vitet 1990 dhe se Bashkimi Sovjetik u rrëzua dhe u turpërua nga Perëndimi; ai mendon se ka ardhur koha të rikthehet statusi dhe territori i mëparshëm”.
Udhëheqësit perëndimorë thonë se ky vizion po shpaloset në Ukrainë dhe e akuzojnë zotin Putin se ka dërguar trupa përtej kufirit, një akuzë që Krelini e hedh poshtë. Perëndimi ka vendosur sanksione kundër disa oligarkëve të afërm me Putinin. Por efekti i tyre nuk është ndjerë shumë, thotë Ben Judah, autor i biografisë së Vladimir Putinit Perandori e Brishtë:
“Kjo tregon se nuk ka më oligarkë. Sundon diktatura e Putinit dhe ka njerëz që janë plotësisht të varur prej tij për pasurinë dhe rolin që kanë në politikën ruse”.
Zoti Judah thotë se Vladimir Putin beson se është i vetmi që mund të udhëheqë dhe të ringjallë kombin rus:
“Nëse për ta realizuar këtë i duhet të bëjë luftë, ai do të bëjë luftë; nëse për këtë i duhet të fuqizojë ekonominë, ai do të fuqizojë ekonominë. Nëse e vetmja mënyrë për ta arritur këtë është përmes nacionalizmit dhe ballafaqimit me Perëndimin, atë do të bëjë Putini”.
Zoti Putin ka qenë oficer i shërbimit sekret të Bashkimit Sovjetik, KGB-së, ku arriti të ngjitet deri në gradën e Nënkolonelit. Kjo ka lënë një mbresë të pashlyeshme tek Putini, thotë Edward Lucas:
“Ai ka ruajtur ashpërsinë dhe dinakërinë që e karakterizojnë punën me KGB-në. Po ashtu i ka hyrë në qejf fama. Ai ka dalë nga hijet e fshehtësisë duke u ngritur në qendër të skenës ndërkombëtare dhe i pëlqejnë këto aspekte të famës”.
Megjithë pozitën që ka, Presidenti Putin pohoi në nëntor në një intervistë me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve se nuk ka shumë miq:
“Nuk ndjehem i vetmuar, megjithëse tingëllon e çuditshme. Por nuk kam shumë takime me miq, apo kontakte me shokë”.
Rrallë herë ka momente të tilla sinqeriteti nga zoti Putin. Ai përpiqet gjithmonë të reflektojë një imazh burrërie. Vështirë të harrohet fotografia ku ai pat dalë pa këmishë, hipur në kalë, apo kur vizitonte mbetjet e një nëndetseje si dhe kur fluturonte pranë një tufe lejlekësh me një avion të vogël. Këto pamje fshehin pasigurinë e tij thotë Ben Judah:
“Putini është një njeri shumë i vetmuar, i trishtuar, tepër i izoluar; tmerrohet nga problemet shëndetit që mund të ketë, ndjen një keqardhje të thellë për veten që i ka rënë kjo barrë mbi supe për të fuqizuar Rusinë dhe që i duhet të ballafaqohet me probleme të tilla”.
Analistët thonë se tipare të tilla komplekse të karakterit të presidentit rus janë të nevojshme për të kuptuar individin që fshihet pas udhëheqësit të Kremlinit: një president dhe një ish-spiun i vendosur për t’i rikthyer me çdo kusht Rusisë lavdinë e mëparshme.
Në brigjet e Detit të Zi ndodhet një ndërtesë, më saktë një pallat mbi 16750 metra katrorë. Nga ajri, mund të dallosh lehtësisht, një kishë, shtëpi çaji dhe një amfiteatër, por edhe një pistë për hokej. Mbi të, ndalohet fluturimi, por edhe kalimi i anijeve të tjera përqark. Kjo sipas një hetimi të nisur prej vitit të shkuar nga lideri i arrestuar tashmë i opozitës ruse, Alexey Navalny dhe i drejtuar nga grupi që e mbështet.
Ata thonë se kjo ndërtesë luksoze, gati-gati një pallat Mbreti, është ndërtuar posaçërisht për Vladimir Putin.
“Ky pallat është thuajse një simbol, në miniaturë, i Rusisë së Putinit. Ai nuk e sheh më veten si një punonjës shtetëror apo drejtues i zgjedhur nga populli. Ai e sheh veten si një Car apo si Mbret. Dhe ju e dini që një car rus, e meriton një pallat”, thotë për CNN Maria Pevchikh, Fondacioni Anti-Korrupsion.
CNN nuk ka arritur t’i verifikojë lidhjet e Putinit me këtë pallat. Dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov i mohon akuzat se lideri rus zotëron këtë apo ndonjë pallat tjetër. Maria Pevchikh, nga Fondacioni Anti-Korrupsion, thotë se ata kanë prova, se burimet dhe dokumentet për ndërtimin e zotërimit të këtij pallati, janë shembulli i qartë sesi oligarkët rusë ndihmojnë çdo ditë në pasurimin e Putinit.
“Është paguar nga oligarkë rusë, nga kompani që zotërohen nga shteti rus. Para, nga qytetarët rusë, qytetarë të thjeshtë që paguajnë taksa, që shndërrohen në pagesa për të ndërtuar këtë resort në Detin e Zi”.
Sipas hetimeve të deritanishme, paratë për pallatin janë siguruar nga një Fond Investimesh ruse, që kanë marrë fonde bamirësie nga oligarkët rusë.
“Ka fjalë që thonë se Putin është njeriu më i pasur i botës dhe ndoshta është. Është shumë shumë e vështirë të përpiqesh të kuptosh diçka për pasurinë e tij dhe ku e mban ai pasurinë”, thotë Jill Dougherty, kontribuuese për CNN. Transmeton Mediakoss.
Bëhet fjalë për pasuri neto prej më shumë se 100 miliardë dollarë, ndonëse zyrtarisht Putin zotëron vetëm një apartament 74 metër katrorë, disa makina dhe një pagë modeste, e cila për vitin 2020 arriti shumën e 140 mijë dollarëve. Por sa janë të ardhurat e tij, është e vështirë për t’u vlerësuar, pasi është thuajse e pamundur të vlerësosh sa biznese drejton, sa shtëpi apo makina ka, sa fiton në muaj apo në vit.
Asgjë nga këto nuk figuron zyrtarisht në emër të tij, thotë gazetari Tom Burgis. “Ai thotë se nuk ka asgjë. Por është thuajse një kumbar. Zotëron thuajse gjithçka, me një kërcitje të gishtave, siç e kemi parë të bëjë në të shkuarën, ai mund të marrë gjithçka nga një oligark. Ndaj, sado të pasur apo me influencë të duken oligarkët, janë absolutisht të varur nga Vladimir Putini”, thotë ai.