UKZ me akreditime të reja në programet studimore
Pas suksesit të ri-akreditimit në nivel institucional për periudhën 5 vjeçare, Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është njoftuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim se Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka miratuar një sërë programesh të reja të akredituara dhe të riakredituara në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Fakulteti i Shkencave Sociale ka përfituar akreditimin e parë për programin bachelor Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane (BA). Si programi i vetëm në Kosovë, pritet të bëhet një pikë referimi për studentët që synojnë karriera të suksesshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe studime evropiane, duke përgatitur studentët për të kryer funksione në organizata ndërkombëtare, në korporata vendore dhe transnacionale, në institucione shtetërore dhe rajonale, organet vendore dhe institucionet tjera.
Fakulteti Ekonomik ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm me miratimin e programeve bachelor në Financë dhe Kontabilitet (BSc) dhe Menaxhimin e Marketingut dhe Shitjeve (BSc) që është akredituar për herë të parë. Ky hap strategjik e pozicionon fakultetin në një nivel të ri akademik dhe profesional.
Fakulteti i Edukimit, ka marrë miratimin për programet master në Mësimdhënien e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe (MA) dhe Mësimdhënien dhe Kurrikulën në Arsimin Fillor (MA). Këto programe, të riakredituara me sukses, janë të destinuara të krijojnë një gjeneratë të re mësuesish të përkushtuar dhe të kualifikuar.
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, ka siguruar riakreditimin për programet master në E-Qeverisje (MA) dhe Sistemet e Kontrollit dhe Inteligjenca Artificiale (MSc). Këto programe moderne do të vendosin UKZ-në në botën e zhvillimeve teknologjike dhe inovative.
Kurse, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ende nuk i ka përfunduar proceduarat për Programin Parafillor të Fakultetit të Edukimit. Për këtë program do të ju njoftojmë me kohë.
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, ka shprehur kënaqësinë dhe krenarinë e tij për arritjet e reja të universitetit.
“Ky proces i akreditimit dhe riakreditimit është një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj cilësisë së lartë në arsim dhe një hap i rëndësishëm drejt avancimit të institucionit tonë, ku hapen dyer të reja për studentët tanë karshi tregut të punës”, ka thënë Rektori Dërmaku.
Ai ka thënë se UKZ është e përkushtuar të ofrojmë një edukim të shkëlqyer që të përgatis studentët për sfidat dhe mundësitë e së ardhmes. Programet e miratuara do të ndihmojnë në krijimin e profesionistëve të kualifikuar dhe të përkushtuar, që do të kontribuojnë pozitivisht në zhvillimin e shoqërisë sonë dhe më gjerë.
Rektori Artan Dërmaku ka falënderuar të gjithë stafin akademik dhe administrativ dhe akterët tjerë të përfshirë në procesin e Ri/Akreditimit për përpjekjet e tyre të palodhura dhe përkushtimin e tyre ndaj këtij suksesi. “Së bashku, do të vazhdojmë të punojmë për të ngritur nivelin e edukimit dhe për të përmbushur misionin tonë për një arsim të shkëlqyer dhe gjithëpërfshirës,” ka deklaruar rektori Dermaku.