Reagon Zaki Asllani për mungesën e përfaqësimit të Malishevës në institucionet lokale të Gjilanit
Aktivistja politike nga Gjilani, Zaki Asllani, ka reaguar lidhur me mungesën e përfaqësimit të lokalitetit të Malishevës në strukturat udhëheqëse dhe institucionet publike të Komunës së Gjilanit.
Në reagimin e saj, Asllani ka theksuar se Malisheva, si një nga lokalitetet më të mëdha dhe me rëndësi në Gjilan, sot nuk ka përfaqësim të mjaftueshëm institucional, duke e cilësuar këtë si pasojë të zhvillimeve dhe vendimmarrjeve të viteve të fundit.
Sipas saj, kjo gjendje ka ndikuar drejtpërdrejt në zbehjen e zërit të banorëve të këtij lokaliteti në proceset vendimmarrëse komunale, si dhe në trajtimin e çështjeve me interes për komunitetin.
Asllani ka lidhur këtë çështje edhe me debatet e fundit rreth projekteve dhe vendimeve që prekin Malishevën, duke kërkuar më shumë vëmendje dhe përfaqësim institucional për këtë zonë.
Në fund të reagimit të saj publik, ajo ka publikuar edhe mesazhin e plotë, ku shpreh qëndrimet e saj në mënyrë më të detajuar.
Ja postimi i plotë i Zaki Asllani:
MALISHEVA NUK KA MERITU ME ARDH NË KËTË GJENDJE
Si vajzë e rritun në Malishevë, e di fort mirë kush e ka sjellë këtë vend në këtë pikë. E di edhe lojën që është luajtur me vite. E di kush e shkatërroi bashkimin e fuqishëm që dikur e karakterizonte Malishevën. E di kush ndërhynte gjithkund, duke nxitur përçarje, inate e hakmarrje, vetëm që askush tjetër të mos ngrihej e të mos kishte zë.
Sot, Malisheva nuk ka asnjë përfaqësues në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Dhe kjo nuk është rastësi. Kjo është pasojë e interesave personale, e paditurisë dhe e etjes së disave për ta mbajtur vendin peng të egoizmit të tyre.
Dikur Malisheva kishte deputetë, kishte përfaqësues komunalë, kishte drejtorë dhe njerëz që respektoheshin. Fjala e Malishevës kishte peshë. Sot, ata që e sollën këtë ditë të keqe nuk janë të gatshëm as të marrin pjesë në takime, as të mbrojnë vendin, as të japin kontribut. Janë të gatshëm vetëm të mbushin xhepat dhe të ruajnë interesat e rrjetit të tyre.
E sot, kur po flitet për deponinë dhe për një padrejtësi të madhe ndaj Malishevës, detyrohesh me kërku ndihmë prej njerëzve jashtë Malishevës. Detyrohesh me u lutë që dikush të shkruajë e të reagojë, sepse ata që duhej të ishin të parët, heshtin.
Po, shkruaj me mllef. Sepse më dhemb. Më dhemb kur e shoh Malishevën pa zë. Më dhemb kur shoh se sa lehtë është humbur respekti dhe pesha që e kishte dikur ky vend. Më dhemb kur shoh se si përçarja është bërë më e rëndësishme se e mira e përbashkët.
Por një gjë duhet ta kuptojmë të gjithë: Malisheva është më e madhe se interesat e kujtdo. Dhe nëse nuk zgjohemi sot, nesër nuk do të kemi të drejtë të ankohemi pse të tjerët vendosin për ne.
Malisheva meriton më shumë. Dhe mbi të gjitha, meriton njerëz që e duan më shumë vendin se veten.
