Një rrëshqitje masive dheu, tmerr në Itali
Një rrëshqitje masive dheu ka goditur qytetin Niscemi, në Sicilinë lindore, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë ishullin ditët e fundit. Si masë sigurie, më shumë se 1 000 banorë janë detyruar të evakuohen nga banesat e tyre.
Sipas autoriteteve lokale, zhvendosja e tokës shtrihet në mbi 4 kilometra, duke e bërë situatën veçanërisht të rrezikshme. Është shpallur një “zonë e kuqe” ku hyrja është rreptësisht e ndaluar, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë se numri i evakuimeve mund të rritet në orët në vijim.
Disa banesa pranë zonës së rrëshqitjes kanë pësuar dëmtime nga fundosja e tokës, por falë reagimit të shpejtë të autoriteteve dhe shërbimeve të emergjencës nuk raportohet për të lënduar.


Si pasojë e rrëshqitjes, një nga dy rrugët kryesore që lidhin qytetin me rreth 30 000 banorë me pjesën tjetër të Sicilisë është mbyllur për qarkullimin, duke krijuar vështirësi të mëdha në lëvizje.
Banorët e evakuuar janë strehuar përkohësisht në një stadium të mbyllur në Niscemi, ndërsa një pjesë tjetër po qëndron tek të afërm dhe miq, në pritje të normalizimit të situatës.
