Murati: Sot ose do të kemi Qeveri Kurti 3, ose vendi do të shkojë në zgjedhje
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se nëse sot nuk do të votohet Qeveria Kurti 3, vendi do të shkojë në zgjedhje.
Sipas tij, shkuarja në zgjedhje nuk është opsioni i duhur.
“Në seancën e sotme janë dy mundësi, ose do të kemi Qeveri Kurti 3 ose vendi do të shkojë edhe njëherë në zgjedhje duke rrezikuar shumë procese si Buxheti, Plani i Rritjes i BE-së, funksionimi i institucioneve të pavarura etj. Opsioni i dëshiruar për ne natyrisht që është opsioni i parë. Por a janë të gatshëm deputetët e opozitës që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të rrezikojnë qëndrushmërinë e shtetit vetëm e vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin? Uroj që sot të triumfojë arsyeja dhe vullneti politik tek secili deputet për të zgjedhur interesin shtetëror para së gjithash”, ka shkruar Murati.
Seanca për votimin e Qeverisë nis në orën 10:00.
