 
                          
         Mr. Avni Behluli: Ibrahim Kodra, kolosi shqiptar ne artin pamor botëror
Në mesin e shumë pjsëmarrësve të shquar nga jeta publike e institucionale, të cilët kryesisht ishin me origjinë nga Lugina e Preshevës, por që jetojnë e veprojnë gjithandej, kanë marrë pjesë në Konferencën Shkencore në Preshevë.
 
Konferenca u organizua nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, ndërsa pjesëmarrës të shumtë morrën pjesë aktivisht edhe me prezntime, kumtesa e fjalime të ndryshme.

Njëri nga ta, padyshim tejet meritor për temën e konferencës, ishte skulptori nga Breznica e Komunës së Bujanocit, që jeton e vepron në Gjilan, Mr. Avni Behluli.

Ai në një postim në rrjete sociale ka bërë të ditur se si pjesë e panelit, mbajti edhe një kumtesë për artistin e shquar, Ibrahim Kodra.
“Kisha nderin qe isha pjesëmarrës në Konferencën Shkencore, organizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë.
Kumtesa ime ishte” Ibrahim Kodra kolosi shqiptar ne artin pamor botror””

Kumtesa e prezantuar e Mr. Avni Behluli në: Konferenca Shkencore për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë 2025
Mr. Avni Behluli: Kolosi shqiptar në artin pamor botëror, brahim Kodra (1918- 2006)
Artet figurative-pamore nëpër të gjitha periudhat e shoqërisë njerëzore, zënë një vend me rëndësi në mozaikun e përgjithshëm global. Andaj edhe etnitei shqiptar, gjatë gjithë ketyre periudhave ka lënë gjurmë të dokumentuara e të pashlyeshme.
Për të folur për një personalitet të artit e kulturës, së pari duhet të nisemi nga prizmi se duhet njohur historinë e vendit të tij, vendin nga vjen, pozitën gjeografike të tij, kombin dhe shumë komponente tjera me rëndësi, për të dhënë një formulim të saktë të personalitetit në fjalë.
Trevat e banuara me shqiptar, nëpër të gjitha periudhat e zhvillimit të historisë njerzore, kanë dhënë figura të shquara në fusha përkatëse të zhvillimit shoqëror shqiptar. Në periudha historike bota shqiptare ka dhënë: mbretër, luftëtar, shkencëtar, pishtar të arsimit, arkitekt e shumë figura nga arti e kultura. Të gjitha këto arritje me njerëz të dëshmuar në fushat e tyre, si burim frymëzimi kryesor kanë tokën arbnore, florën dhe faunën, ujin e oksigjenin, gjakun dhe shpirtin Iliro-Dardan.

Kur flasim për emra të përvetshëm për arritje kombëtare e ndërkombëtare në fusha të caktuara shoqërore të njerëzimit, toka shqiptare ka dhënë emra të shquar jo vetëm sundues (mbretër) në disa shtete, por kanë qenë edhe themelues të këtyre shteteve.
Ndërsa në fushën e artit e kulturës, nuk janë të paktë emrat shqiptar që kanë lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare, me këtë rast duhet të ceket arkitekti Mimar Sinani, i cili projektoi xhaminë ”Tagj Mahall” në Indi, por edhe shumë projekte arkitektonike tjera, aktori shqiptar me famë botërore Aleksandër Moisiu.
Ndërsa në fushën e artit pamor, artist të cilët kanë lënë gjurmë kemi nga gjitha periudhat kohore e në veçanti nga ajo mesjetare, ku spikat emri i piktorit Onufër Neokastriti dhe pasardhësit e tij, i cili kishte pikturuar në kishat mesjetare në Shqipëri dhe gjetiu, pastaj në periudhat tjera të zhvillimit të artit pamor të shekullit XX vlen të përmenden artistët si skulptori më në zë Odhise Paskali, njëherit ishte mësues i vizatimit i Ibrahim Kodrës, piktori Kolë Idromeno shkodrani që konsiderohet ndër më të vlerësuarit, e shumë emra e bashkohanik të Kodrës.

- Toka, uji, ajri e tradita, ishin burim frymëzimi
Shekulli i XX, artit pamor i ka dhënë shumë emra të shquar, të cilët me dinjitet e kanë përfaqësuar kombin shqiptar gjithandej globit. Një ndër ta padyshim vend të merituar spikat piktori Durrsak Ibrahim Kodra, emër i cili për gjysmën e dytë të shekullit XX e ka shpërfaq artin e tij shqiptar me krenari nëpër vende të ndryshme të botës.
Ibrahim Kodra, i lindur në fshatin Likmetaj të zonës së Ishmit (Durrës) në vitin 1918, kur vendi ishte përballur me luftrat ballkanike dhe luftën e parë botërore, me një gjendje jo të mirë ekonomike si shumica dërmuese e popullatës shqiptare edhe familja Kodra nuk kishte ndonjë gjendje të mirë materiale.
Shpirti i tij i njomë ishte i brymosur me ambientin ku jetonte, andaj edhe talenti i tij për artin nuk mungonte. Babai i tij e furnizonte me mjete të ndryshme, ia kishte dhënë një defter dhe një laps, fillon të shkruaj shkruaj dhe vizatoj, ku vizatimin e kishin edhe si lëndë obligative në shkollë. Qysh si fëmijë fillon të shkarravisë, të lë gjurmë me mjete rrethanore nëpër dërrasa apo mure e letër nëse kishte afër. Këtë aftësi e shprehte edhe në shkollën fillore ku i vijonte mësimet e para, por për tu aftësuar dhe ecur më shpejt në këtë rrugë prej artisti, puna e tij për arte duhej të përcillej e monitorohej prej njerëzve ekspert të fushës së artit pamor.
- Hapat e parë në studio profesionale
Familja e Kodrës e kishin vërejtur se djali i tyre tërë kohën po e kalonte duke vizatuar, duke hedhur ngjyra, e duke shprehur botën e tij imagjinare (fëmijërore) gjatë rritjes së tij si adoleshent dhe shoqërimit të tij me shok në shkollimin e mesme Teknike që ishte lice Amerikan në Tiranë, ku banonte në konviktin ”Naim Frashëri”. Kodra kishte dëgjuar se këtu kishte artist-krijues të cilët kishin studiot e tyre, të cilët i ushtronin të rinjët e talentuar për arte pamore.
Rasti, mbret i botës për djaloshin Ibrahim Kodra, skulptori Odhise Paskali i kishte parë vizatimet këtij djaloshi ku edhe ia kishte bërë me dije se po deshe mund të vish të ushtrosh në studion time të vizatimit. Kodra pasi bie në gjurmë kësaj studio arti, një ditë këtë rrëfim ia shpreh babait të tij, se në Tiranë po ekzistonte një studio arti ku mund të shkoj edhe ai për t’u aftësuar e për të zënë njohuri të reja në këtë zeje arti. Babai i tij pa u hamendur, bashkë me Kodrën shkojnë në Tiranë dhe e gjejnë studion, ku po e udhëhiqte i madhi skulptori Odhise Paskali, quhej shkollë e mbrëmjes, ishte shkollë jo publike e vizatimit, tani po e quajnë (kurs) të vizatimit.
Në stdudion e Paskalit, Ibrahim Kodra jo vetëm që mori hapat e parë të zënjes së zejes profesionale, por mori edhe kulturë dhe formësim prej një krijuesi të madh siç ishte Odhise Paskali, aty mori informacione shumë me rëndësi ku do t’i shërbenin për ngritjen e tij prej artisti. Nga kjo studio arti, Kodra përmes Paskalit u njoh edhe me artist tjerë Italian dhe më gjerë, nga se Odhise Paskali nxënësve të tij ia transmetoi artin të cilin vet e kishte studjuar sa ishte në Itali.
Kodra nga studio e Paskalit do të dilte me një njohuri fillestare shumë profesionale, që më vonë do t’i shërbej për rrugëtimin e tij prej artisti të ri e të kompletuar profesionalisht.
Kodra kishte vision, ishte largpamës, ku talentin e tij dëshironte ta shtrinte edhe më tej, duke kërkuar rrugë dhe forma të reja shprehëse figurative.
“Muzikanti pranë detit”
Unë e quaj kryevepër të Kodrës, ngase në këtë pikturë janë gërshetuar të gjitha elementet që e identifikojnë piktorin Ibrahim Kodra. Në këtë pikturë është fëmijëria e tij apo në plan të parë është vet autori me instrument muzikore në dorë, piktura është ndërtuar me forma gjeometrike kubiste, e objekte konkrete ku në të dy anët e tij shihen artefakte antike që dëshmon për lashtësinë kombëtare të tij, pastaj deti e në bregore shihet fshati me objektet e tij përcjellëse, deri në pafundësi ku dielli me retë reflekton në një pejsazh në vete, ku të gjitha nga këto fragmente piktura merr kuptimin e plotë të një vepre artistke.
- Viti 1938, hapja e portës jetësore prej artisti
Udhëkryqet e jetës si të gjithë të rinjëve ashtu edhe për Ibrahim Kodrën, ishin vendimtare për jetën dhe karierën e tij. Andaj familja e Kodrës interesohej për të ardhmen e djalit të tyre, ku fati e deshi që me ndihmën e mbretreshës Rexhina, nënës së mbretit Zog dhe konsulit Italian të asaj kohe Atoma Lorussos, fiton një bursë studimi në Milano të Italisë. Ishte gëzim i madh për familjen dhe Kodrën ndarja e kësaj burse, ku do të shkoj të studioj në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras të Milanos, e ku iu dha rasti të studioj me artistët e njohur: Karrara, Funi, Karpi etj.
Ishte nderë të studioje në Akademinë e Breras, pasi që kjo ishte një shkollë shumë e fortë në aspektin figurativ, aty mësohej e studiohej abc e arteve figurative dhe jo gjithë studentët e kishin mundësinë të studionin në këtë Akademi. Si student i Akademisë Brea, Kodra pos që mëson sipas planeve të mentorëve të tij, ai gjatë gjithë kohës bënte skica e hulumtime për gjetje të reja pos atyre obligative.

Ngjyrat e Adriatkut të Durrësit, instrumente muzikore me të cilat kishte luajtur e ekzekutuar si fëmijë në kitarë, mandolinë, do t’i shpërfaqte në punët e tij akademike, por këto motive e tema nga vendlindja do t’a përcillnin tërë jetën në veprat e tij. Gjatë studimeve në Akademinë e Breras të Milanos, puna e tij si student u kishte pëlqye mentorëve të tij, ku ata pos detyrave obligative si të rregullta, Kodreë i kishin dhënë liri shprehëse më shumë se studentëve tjerë. Qëllimi i kësaj lirie shprehëse ishte që Kodra mos të ndalej vetëm në këto detyra-ushtrime administrative obligative, por të kërkoj edhe shprehje avangarde të kohës, në penelatat e tij shihej qartë një lirizëm kubik në ardhje.
Kodra si një student i huaj në një vend si Italia, nuk ishte e lehtë për të depërtuar jo vetëm si student por edhe në periudhat e ardhshme prej artisti, ngase Italia njihej si vend-djep i artit, ku artist kishte me bollëk të rrymave e prizmave të ndryshëm, më një konkurencë shumë të madhe. Këtë kapërcim të kësaj pengese konkurente, vështirë e kishin edhe artistët vendas, e aqë më pak një i huaj e pa asnjë përkrahje si rasti i Ibrahim Kodrës.
Por mbi të gjitha këto përballje, Kodra ia del vetëm me punë vetëmohuese të vazhdueshme e cila i kishte lënë anash shumë artist vendas e të tjerë, ku kjo sakrificë do t’i shpërblehej në periudhat e ardhshme prej artisti.
Gjatë studimeve në Akademinë e Breras, Kodra ishte shumë aktiv ku fillon të prezentohej nëpër ekspozita kolektive me studentët më të mirë të Akademisë. Viti 1943 llogaritet si vit zyrtar, ku Kodra shpërfaq veprat e tij në një ekspozitë kolektive. Viti 1944 është vit mjaft me rëndësi për Ibrahim Kodrën, ngase hap studion e parë personale në Milano, pastaj në këtë kohë ishte gjendje lufte ku Kodra merr pjesë në lëvizjen italiane të rezistencës kundër fashizmit bashkë me piktorin Italian Renato Gutusso.
Kontakti me artistë tani më të njohur botëror, për Kodrën ishte një mundësi për të zgjeruar shoqërimin me emra të mëdhenj të artit, por njëkohsisht edhe për të shpalosur punën e tij para tyre, një takim i kësaj natyre ndodh në vitin 1948 me piktorin tash më të njohur botërisht Pablo Pikason. Ekspozita e parë e tij personale shënon vitin 1949 në Galerinë ”Cavallino” në Venedik, më pas i hapen rrugët për të shpërfaq veprat e tij nëpër galeri tjera italiane.
Puna e tij u pëlqye nga Pikaso dhe artist tjerë, anadaj edhe angazhimi i tij për pjesëmarrje në ekspozita të ardhshme kolektive dhe personale nuk do të mungojë.
– Kthesa e madhe ndërkombëtare
Edhe pse i ri në vend të huaj, por edhe me moshë i ri, puna e tij prej një krijuesi të mirëfillt tani po jep rezultatet e para profesionale, ku viti 1953 sjell një kthesë me rëndësi në jetën e tij prej një artisti të ri në ardhje. Pikrisht në këtë vit Kodrës i vie ftesa për të ekspozuar në ekspozitën ndërkombëtare të Universitetit të Parisit, krah me artistët më në zë të kohës si që ishin: Pikasso, Matiss, Shagall, Dufy, Modiglani, Rolualt etj.
Një vit më vonë, më 1954, më të njejtët artist ekspozoi në ekspozitën kolektive në “Montenapoleone” në Milano. Nga prezentime të veprave me vlerë artistike, viti 1955 i sjell Kodrss çmimin e pare “Brianzolo Arte Extemporanes”, ku u nderua me Medaljen e Artë nga Prefekti i Milanos.
Ndërsa në ishte vitin 1958 ftuar në Bienalen e Venedikut.
Sa vijnë e ecin vitet, numri i artistëve të mëdhenj që do të ekspozojnë me Kodrën shtohej, një ngjarje me rëndësi e këtij aktiviteti ishte ajo e vitit 1963, ku piktori Ibrahim Kodra do të ekspozoje në ”Paradiso” bashkë me artistët: Pikasso, Salvador Dali, Braku, Ernest, Matta, Santomas, Pancesa, Levi, Vedeva, Gutaso, Birolli etj.
– Ekspozita në Prishtinë, përkrahje per artistët shqiptar
Veprimtaria krijuese e piktorit kubist Ibrahim Kodra, mbi dy dekada e gjysmë e shpërfaqur nëpër galeri të ndryshme të botës, e me artist të spikatur, për veprat e tij origjinale tani ishin të interesuar shumë qendra e galeri të ndryshme që t’i kishin të varura nëpër muret e tyre. Andaj edhe Kosova ishte mjaft e interesuar që Ibrahim Kodra ta sillte një ekspozitë në Prishtinë. Komuniteti i artistëve te Kosovës, pasi kishin vënë kontaktet me piktorin Ibrahim Kodra, Kodra me kënaqësi kishte pranuar ftesën dhe në vitin 1968 hap ekspozitën e parë të pavarur në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
Kjo ekspozitë e piktorit të njohur shqiptar në Prishtinë, ishte një sihariq për komunitetin shqiptar, e në veçanti për artistët shqiptar në ardhje, të cilët kishin nevojë shumë për të parë art që krijohet në shtetet perëndimore. Pra kjo ekspozitë kishte zgjuar inters të jashtëzakonshëm, si në mesin e komunitetit artistik ashtu edhe tek studentët shqiptar që ishin të etshëm për informacione nga artist me famë ndërkombëtare . Për punën e tij krijues e të mirëfillt artistike, të shpërfaqur nëpër galeri të qyteteve e vendeve të ndryshme, pasojnë edhe çmime të një pasnjëshme, ku në vitin 1971 në Paris, nderohet më Medaljen e Artë Ndërkombëtare, në fushën e shkencës, artit dhe letërsisë nga Akademia Franceze. Pastaj në vitin 1986, në Milano fiton çmimet ”La Madonnina” dhe “Arte+Arte” për pikturë.

Ibrahim Kodra si shqiptar, edhe pse si i ri ishte larguar nga vendlindja, por me zemer të thyer për gjendjen nëpër të cilën po kalonte kombi i tij, e edhe pse mungonte fizikisht, ai me vete kishte marr te gjithë shpirtin emocional e trashëgues, e këte e shpërfaqte thuajse në piktura të shumta të tij. Kodra që nga shkuarja si student në Itali, shumë vonë kthehet ne vendlindje (Shqipëri), ndërsa në Kosovë për herë të parë vjen me rastin e ekspozitës personale në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në Prishtinë më 1968, e kjo më së miri në veprën ”Paqe për Kosovën”. Kjo vepër e Kodrës nuk ishte vetëm një shprehje figurative e tij, por më shumë se kaq, përmes figurave, në plan të parë vendos një figurë e cila i prin kësaj proteste, me këtët rast dora e tij e ngritur lart kërkon paqe, më pas në të dy anët e shoqërojnë njerëz të shtresave të ndryshme, me veshje kombëtare e forma tjera përcjellëse, kjo vepër haptas shpërfaq një protest të një shoqërie nëpër të cilën po kalonte populli i Kosovës nën sundimin hegjemonist Jugosllavo-Serb.
- Ibrahim Kodra, asnjëherë nuk iku nga identiteti kombëtar
Një djal i ri i cili ende pa u ngopur mirë, me lojra me shokët e lagjes, mori udhë të largët në vend të huaj si i vetëm, i cili do të përballej me peripetit e jetës. Ky rrugëtim për Kodrën ishte sikur të bie nga qielli në oqean, pa asnjë njeri të afërt afër vete, pa ditur as gjuhë e probleme tjera që sjell jeta në vend të huaj. Nga kjo periudhë në Itali e zënë edhe ngjarjet që do të pasojnë si studimet në artin e pikturës, pastaj Lufta e dytë botërore, e probleme tjera shoqërore.
Për një kohë të gjatë iu pamundësua kthimi në atdhe (familje) në Durrës, sepse tani kishte hyrë në një botë në vete e cila kërkonte sakrificë dhe angazhim të madh për të mundur të depëtojë në fushën e tij, ngase Italia shquhej për numër të madh studentësh e artistesh vendor e ndërkombëtar.
Këtë fenomen Kodra e kishte kuptuar me kohë, andaj edhe iu kishte përveshur punës me zell të madh. Falë angazhimit dhe punës së mirë që bënte, e cila u pëlqente personaliteteve të kohës, Kodra shpejt depërtoi në mediat dhe zyrat profesionale të galerive dhe muzeve të Italisë. Që nga ditët e para të qëndrimit në Itali dhe deri në frymën e fundit të jetës së tij, asnjëherë nuk e mohoi identitetin e tij kombëtar në asnjë rrethanë, ashtu edhe u formua si artist shqiptar në Itali.
Në atdhe kthehet pas një kohe të gjatë qëndrimi në Itali, tani më ishte pjekur dhe në moshë të pjekurisë, ku shqipëria ishte në një stad tjetër qeverisës, e që u prit me ngrohtësi si jë personalitet me vlera të larta njerëzore.
Më 1996, me ftesë të Galerisë Kombëtare të Shqipërisë, hap ekspozitë personale, njëherit me rastin e 78 vjetorit të lindjes ftohet nga Presidenti Sali Berisha, ku iu akordua çmimi ”Nderi I Kombit”, e një vit më vonë merr edhe edhe Pasaportën Diplomatike nga ana e Republikës së Shqipërisë.
Në vitin 2000, zgjedhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Lidhjet e tij me vendlindje dhe trojet shqiptare për asnjë çast nuk u zbehen, sidomos pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri dhe Kosovë u shtuan ndjeshëm. Më 2003, hap ekspozitën e pavarur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe në Galerinë e Arteve të Kosovës.
Veprimtaria krijuese e Ibrahim Kodse, në fushën e artit pamor, ishte mjaft e ngjeshur dhe voluminoze, sepse Kodra kësaj veprimtarie iu kishte qasur me seriozitet dhe diciplinë të madhe, ku kërkonte mjete e hapësira hulumtuese gjatë gjithë kohës.
Jetoi jetë bohemi
- Me penel në dorë flinte, por edhe zgjohej
Për jetën e piktorit Kodra, ka fakte e vepra për të cilat mund të flasim e dhe shkruajm memoare të shumta. Por mund të flasim vetëm edhe për jetën e tij personale e artistike, si jetoi ai, ku jetoi e me kë e kaloi pjesën më të madhe të jetës.
Siç mësojm nga intervistat e tij të dhënë gazetave e mediumeve të ndryshme botërore, ai gjithë jetën e tij ia kishte kushtuar vetëm artit, nuk merrej me asnjë punë institucionale apo administrative, por jetonte si krijues i lirë. Shtëpia-banesa e tij ishte atele arti, e mbushur me kavaleta letra e pelhura, ngjyra e lapsa, e mjete tjera të cilave asnjëherë nuk iu largua era e tretesëve të ngjyrave.
Gjatë pikturimit në studion e tij, ishte thellë i përkushtuar në gjetje të reja avangarde, prandaj as që merakosej për gjëra tjera ditore, apo matje kohe se cila ditë ishte, pikturonte kur muza e tij e thërriste, ditën apo natën, për te nuk kishte rëndësi koha apo ora. Kështu ishte jeta e një krijuesi i cili me angazhimin e tij prej mjeshtri, edhe dukja e tij përkonte me kohën në të cilën jetonin artistët, e ky fenomen vërehet vetëm të artistët e mëdhenjë.
Me njerëz si Ibrahim Kodra, secili prej nesh kishte dëshirë të takohej, të dëgjojë ndonjë rrëfim të tij për jetën dhe krijimtarinë e tij prej artisti. Por me rastin e ekspozitës së tij personale në Galerinë e Arteve në Prishtinë në vitin 2003, shumica prej nesh kishim rastin së paku të bënim nga një foto kujtimi me të, e asgje më shumë sepse ishte i lodhur e nuk qëndronte mirë me shëndet.
Ekspozitën e tij e menaxhonte një Italian, por nga ato momente vërejtëm se menaxheri i tij aspak nuk kishte kujdes në garderobën dhe higjienën e tij, me keqardhje e them por veshmbathjet e Kodrës kundërmonin erë jo të mirë, e që një piktor i kësaj kategorie në pleqërinë e tij, të jetoj pa asnjë kujdesje ishte diqka e pa imagjinueshme, por menaxheri i tij interesohej më tepër për shitjen e veprave të tij dhe përfitimin material e jo për autorin e këtyre veprave. Nga ky rrëfim I përjetuar mbi jetën e piktorit të madh shqiptar, kostatojmë se sa e rëndësishme është që njeriu të lë trashëgimtar nga adn-ja e tij. Si do që të ishte ndonjë trashëgimtar i Kodrës, kujdesin për të do ta kishte shumë më nivel.
Failja e tij ishte piktura, fëmijët e tij ishin veprat që krijonte dita –ditës, loja që bëjnë prindërit më fëmijët e tyre, Kodra këto lojra të fëmijëve i shprehte në piktura, duke i harmonizuar me instrumente të ndryshmë muzikore, por edhe me mjete tjera rrethanore të cilat i materializonte me pedantëri, duke lozur lehtë penelin me ngjyra mbi pëlhurën apo letrën e vendosur mbi kavaletin pranë.
– Kubisti i fundit i kësaj rryme të artit pamor
Fati e deshi që piktori Ibrahim Kodra, të studioj e jetoj në vendin ku llogaritet si djep i artit, andaj edhe jeta e tij prej artisti ka ndikuar shumë në aspektin pozitiv që të brymoset e formësohet si një krijues i fortë i artit pamor. Por emri i Kodrës nuk erdhi rastësisht që të arrijë majet e artit pamor, por falë angazhimit të tij si një skllav në punën e tij prej krijuesi.
Kodra ishte njohës i mirë i antikiteti, e periudhave tjera të shoqërisë, natyrës, edhe pse Kodra asnjëherë nuk e kopjoi natyrën, por e rikrijoi ndjeshëm ashtu siç e ndjente vetë, studioji objektet të cilat qëndrojnë mbi të. Shpërfaqja e pikturës së Kodrës ndërtohet me forma gjeometrike-kubiste, midis traditës dhe modernitetit, duke lëvizur lehtë me penelin e mbushur me ngjyra të pasura polikrome. Ibrahim Kodra, edhe pse njohu edhe stile e rryma tjera të artit pamor, ai ëndrrën e tij e gjeti te kubizmi, sepse aty ishte muzika e tij, shpirti i tij aty flente më mirë se askund tjetër. Por Kodra përpos pikturës ai hulumtonte edhe në medium e teknika tjera siç ishte grafika e litografia të cilat i gdhendte nëpër pllaka të ndryshme mermeri apo materiale tjera.

Ashtu si e krijoi Pikaso kryeveprën ”Gernika”, ashtu edhe Kodra krijoi veprën e tij ”Lufta për paqe”, vaj në pëlhurë 1977, ku ushtarët e Kodrës janë përmendore e latuar. Kodra kishte vulën dhe origjinalitetin e vet, me objetet që e rrethonin, muret e bardha, pikturat e varura njëra bri tjetrës, dritarja nga vinte drita e diellit e pamja e detit, karrika e tavolina ku pushonte. Si që ishte fëmijëria e tij e qiltër ashtu edhe deti për te ishte pika referuese e shumë pikturave, nga se e kaltra e detit të Durrësit do t’a përcillte hap pas hapi jo vetëm në pikturat me motive deti, por edhe në imazhet tjera rendëse.
Krijimtaria e Kodrës është e pasur me tema e motive nga më të ndryshmet, ka trajtuar figurën e njeriut, portretin, natyrën e qetë, pejsazhin. Por gjithnjë duke iu shmangur kopjimit real të kërtyre imazheve, e duke shprehur ndjenjat dhe shpirtin e brendshëm të tij.

Këto vepra Kodra i ndërtonte sipas një koncepti të përgatitur më pare (skicë), me format gjeometrike: katror, trekëndësha, rrath e spirale, duke i veshur me ngjyrat e shpirtit deri në fazën përfundimtare të një pikture. Andaj në pikturat e tij, format dhe ngjyra ishin më shumë se poezi e ajo lexohej shumë lehtë, vargjet në pikturë duket se qëndrojnë bukur njëra pas tjetrës, të japin përshtypjen se po lëshojnë zërin e një kënge relaksuese në vetminë brenda katër mureve të studios së tij.
Kodra nuk shquhej për vepra të formateve të mëdha, siç ishte Klod Mone, Pikaso apo ndonjë tjetër artist, ngase e kishte kuptuar se formati dhe pesha nuk ishin matës përcaktues të vlerës së një vepre arti. Pra një vepër arti për të qenë me vlera të qëndrueshme, ajo duhet të posedoj disa komponente tjera e jo formati i një pikture apo lartësia e pesha e një skulpture. Kodra diti të materializojë me ndjeshmëri çdo vepër të tij, duke e ndërtuar nëpër faza me gjitha ato objekte apo mjete tjera rrethanore, e duke iu shmangur formave ilustrative, të cilat do t’ia ulnin vlerat pikturës.
Kodra përmes veprës së tij, krijoi edhe vulën prej artisti, identiteti i të cilit dallohej prej krijuesve tjerë, pra rrugën prej artisti që po lë gjurmë e ndërtoi vet, me një sakrificë të madhe, angazhim të pa shoq.
Për ikonën e artit pamor me renome ndërkombëtare, i cili la gjurmë të pashlyera në këtë fushë arti, për vepat e tij janë marr shumë njohës-kritik të artit, nga vende të botës por edhe shqiptar kanë analizuar e zbërthyer krijimtarinë e tij artistike. Pastaj shumë shkrimtar, publicist e gazetar kanë botuar katalogje, libra monografik për të dhe antologji, në gjuhë tjera dhe atë shqipe. Nga krijimtaria e tij e mirëfillt artistike, ishte bërë pikë referuese për autor të penës, për të shkruar mbi jetën dhe veprat e tij.
Për krijimtarinë kreative e me vlerë që krijoi, ishte shpërblyer shumë herë nga institucionet artistike e të politikës së kohës, poashtu në shumë qytete të ndryshme ishte shpallur edhe “Qytetar nderi”.
- Ku gjenden (ruhen) veprat e Ibrahim Kodrës
Artistët të cilët si prioritet në jetën e tij kanë vetëm artin, lënë pas tyre një numër të shumtë veprash, edhe Ibrahim Kodra sipas informacioneve jo zyrtare, ka lënë rreth 6000 vepra. Nga këto llogariten: vizatime, piktura, grafika, litografi, por vetëm 2000 sosh janë të regjistruara nëpër dokumente zyrtare.
Shumë vepra të Kodrës janë nëpër galeri e muze të Italisë, Shqiprisë, Kosovës e vendet tjera, por një numër i madhe i opusit të tij kanë përfunduar në duart e koleksionistëve të ndryshëm e galerive private. Sepse Kodra jetonte nga shitja e pikturave të tij, ngase jetonte si piktor i lirë.
Nga informacionet që posedojmë për jetën e tij personale dhe nga intervistat e tij, asnjëherë nuk është shprehur se ka patur ndonjë martesë zyrtare me dikë apo të ketë lënë ndonjë pasardhës i cili do të ishte edhe trashëgimtar i pasurisë së tij artistike. Me vdekjen e tij, janë shtuar zërat për opusin krijues të tij se kush zotëron veprat e tij apo kush do t’i mbikqyrë ato në të ardhmen.
Deri në këto momente nuk kemi ndonjë informacion që të ketë lënë me shkrim një testament për trashëgiminë e veprave të tij. Shtëpia e tij ku jetoi kohën e fundit, nga informacionet që kemi është shëndrruar në muze, por nuk dihet sakt se sa vepra janë në të dhe pjesa tjetër ku gjendet.
Si do që të jetë ato janë dëshmi e logos së Kodrës, sepse ato do të ekspozohen herë pas herë pavarësisht se kush do të qëndrojë pas tyre, vepat e tij do të mbesin frymëzim për gjeneratat e ardhshme. Kodra ishte urë lidhëse mes kubizmit evropian dhe artit mesdhetar-shqiptar. Ibrahim Kodra mbylli sytë në Milano më 7 shkurt 2006, sipas dëshirës së tij u varros në vendlindje në Ishëm pranë Kalasë.
Lavdi veprës së kolosit shqiptar, piktorit Ibrahim Kodra.

Gjilan korrik, 2025 Avni Xh. Behluli-Skulptor

 
         
         
     
             
             
             
             
             
             
             
            