Kryetari Hyseni, premton mbështetje për universitetin drejt ngritjes së cilësisë akademike
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka prit përfaqësuesit e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”.
I pari i Gjilanit, tha se e nisën ditën me një takim pune me përfaqësuesit e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.
“Gjatë këtij takimi, kemi zyrtarizuar mbështetjen tonë të radhës përmes dorëzimit të 32 tabletave për nevojat e këtij institucioni”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i Gjilanit, theksoi se këto pajisje teknologjike janë huazuar nga komuna për një afat të pacaktuar, me qëllim që të lehtësojnë punën kërkimore dhe proceset mësimore për stafin dhe studentët.
Sipas tij, ky investim është pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm për digjitalizimin e institucioneve dhe krijimin e kushteve sa më moderne për studime.
“Universiteti “Kadri Zeka”, është një aset i rëndësishëm i Gjilanit dhe ne do të vazhdojmë të jemi partnerë në rrugëtimin e tyre drejt ngritjes së cilësisë akademike”, tha kryetari Alban Hyseni.
