KKSB mban mbledhjen e parë për vitin 2026, prezantohet gjendja e sigurisë në Kamenicë
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e parë për vitin 2026, ku u diskutua gjendja e sigurisë në Komunën e Kamenicës dhe prioritetet e punës për periudhën në vazhdim.
Në këtë takim morën pjesë kryetari i Komunës dhe njëherësh udhëheqësi i KKSB-së, Kadri Rahimaj, koordinatori i KKSB-së, Fisnik Kastrati, komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, Basri Shkodra, si dhe anëtarë të tjerë të këshillit.
Kryetari Rahimaj hapi mbledhjen duke prezantuar rendin e ditës, i cili përfshinte shqyrtimin e gjendjes së sigurisë në komunë, me theks të veçantë në realizimin e patrullimeve policore, informatën për planin e punës së KKSB-së, si dhe çështje të ndryshme.

Ai bëri të ditur se plani i punës është diskutuar edhe me asambleistët në Kuvendin Komunal, duke theksuar se objektivat mund të pësojnë ndryshime nëse kjo vlerësohet e nevojshme nga anëtarët e këshillit.
Lidhur me gjendjen e sigurisë foli komandanti i Policisë në Kamenicë, Basri Shkodra, i cili tha se bazuar në analizat dhe të dhënat e stacionit policor, situata e sigurisë në komunë vazhdon të jetë stabile dhe nën kontroll, pavarësisht një rritjeje të lehtë të rasteve të raportuara krahasuar me vitin paraprak.
“Gjatë periudhës janar-prill 2025 janë evidentuar 60 raste, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2026 janë regjistruar 68 raste”, deklaroi ai.
Sipas Shkodrës, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 43 vepra penale, ndërsa në vitin 2026 ky numër ka arritur në 56. Ai theksoi se niveli i zbulueshmërisë së rasteve është rritur në rreth 85 për qind, krahasuar me 73 për qind në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Gjatë kësaj periudhe nuk është shënuar asnjë rast i vrasjes apo grabitjes”, tha ai.
Komandanti i Policisë foli edhe për sigurinë në trafik dhe në institucionet arsimore. Ai bëri të ditur se gjatë periudhës janar-prill 2026 janë regjistruar 30 aksidente trafiku, prej tyre 20 me lëndime dhe 10 vetëm me dëme materiale, ndërsa nuk është regjistruar asnjë aksident me fatalitet.
“Policia po ndërmerr masa operative dhe parandaluese përmes patrullimeve në këmbë dhe me automjete, pikave të kontrollit dhe shqiptimit të gjobave”, theksoi Shkodra.
Sa i përket sigurisë në shkolla, ai tha se gjendja vlerësohet e qetë dhe pa incidente serioze, falë prezencës së vazhdueshme policore, ligjëratave vetëdijësuese, projekteve parandaluese dhe angazhimit të zyrtarëve policorë edhe në rroba civile.
Sipas tij, prioritetet kryesore të Stacionit Policor në Kamenicë mbeten parandalimi dhe zbulimi i rasteve me narkotikë, ulja e aksidenteve në trafik, rritja e zbulueshmërisë së veprave penale kundër pasurisë dhe forcimi i bashkëpunimit me komunitetin.
Ndërkohë, koordinatori i KKSB-së, Fisnik Kastrati, prezantoi objektivat e planit të punës, duke theksuar se ai përfshin aktivitete konkrete për rritjen e sigurisë në komunë.
“Plani përfshin sigurinë në komunë dhe në shkolla, parandalimin e zjarreve në objektet administrative dhe shkollore, reduktimin e dukurive negative, si dhe rritjen e sigurisë në komunikacion”, tha Kastrati.
Ai shtoi se institucionet përgjegjëse për raportim do të jenë Policia e Kosovës, Drejtoria Komunale e Arsimit, sektori i emergjencave, mediat lokale, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Ambientit dhe Inspektorati.
Pas shqyrtimit të të gjitha pikave të rendit të ditës, mbledhja u mbyll.
