Juventusi Sigurtë ndaj Benficës së Mourinhos
Juventusi ka shënuar një fitore të rëndësishme në Ligën e Kampionëve, duke triumfuar 2-0 ndaj Benficës së drejtuar nga Jose Mourinho, në një përballje ku bardhezinjtë treguan efikasite dhe qetësi në momentet vendimtare.
Pas një pjese të parë të balancuar, ku të dyja skuadrat patën rastet e tyre, Juventusi u tregua më konkret pas pushimit.
Rasti më i mirë për Benficën në pjesën e parë u ndal nga Michele Di Gregorio, i cili reagoi shkëlqyeshëm ndaj goditjes së Georgiy Sudakov në minutën e 23-të.
Epërsia për vendasit erdhi në minutën e 55-të, kur Khephren Thuram realizoi një gol të bukur pas një aksioni individual, duke mposhtur portierin Trubin me një goditje të saktë brenda zonës për 1-0.

Vetëm nëntë minuta më vonë, Juventusi dyfishoi rezultatin me një aksion model ekipor, i finalizuar nga Weston McKennie, pas asistimit të Jonathan David për 2-0.
Benfica pati shansin të rikthehej në lojë në minutat e fundit, kur pas ndërhyrjes së VAR-it iu akordua një penallti, por Vangelis Pavlidis dështoi nga pika e bardhë, duke e dërguar topin jashtë portës dhe duke shuar përfundimisht shpresat e ekipit portugez.
Në minutat e mbetura, Juventusi menaxhoi rezultatin pa vështirësi, duke siguruar tri pikë shumë të rëndësishme.

Me këtë fitore, bardhezinjtë ngjiten në kuotën e 12 pikëve dhe mbajnë vendin e 15-të në renditje, duke siguruar kualifikimin në fazën e “playoff”-it.
Në anën tjetër, Benfica mbetet me vetëm 6 pikë, duke u pozicionuar në pjesën e poshtme të tabelës dhe me shanse të vogla për vazhdim.

