Gjilani zgjat orarin për muzikën në lokalet e gastronomisë deri më 20 gusht
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë vendim për zgjatjen e orarit të lejimit të përdorimit të mjeteve elektro-akustike nga bizneset e sektorit të gastronomisë, duke përcaktuar edhe oraret e reja të funksionimit.
Sipas vendimit, lokalet e gastronomisë do të mund të përdorin pajisje elektro-akustike në përputhje me standardet ligjore dhe normat e lejuara të zhurmës.
Orari i lejuar është përcaktuar si vijon:

- Nga e diela deri të enjten, muzika lejohet deri në orën 23:00;
- Të premten dhe të shtunën, përdorimi i mjeteve elektro-akustike lejohet deri në orën 00:00.
Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se ky vendim do të jetë në fuqi deri më 20 gusht 2026.
Njëkohësisht, me këtë vendim pezullohet përkohësisht zbatimi i Urdhëresës nr. 312/22, të datës 21 prill 2022, për mbrojtjen nga zhurma. Pezullimi do të mbetet në fuqi deri më 20 gusht 2026, periudhë gjatë së cilës do të zbatohen oraret e reja për funksionimin e muzikës në lokalet e gastronomisë.
