GJILAN: Drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Gjilan “sinjalizon” qytetarët për Tatimin në Pronë! Sot, 30 shtatori afati i fundit…
GJILAN, 29 Shtator 2026 – Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe Drejtoria për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit u bëjnë thirrje qytetarëve që të kryejnë pagesën e këstit të dytë të Tatimit në Pronë brenda afatit ligjor.
Sipas njoftimit zyrtar, afati i fundit për pagesë është 30 shtator 2026.
“Shmangni gjobën dhe interesin”
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik i bën thirrje qytetarëve që ta kontrollojnë faturën dhe ta kryejnë pagesën me kohë.

“Të nderuar qytetarë të Komunës së Gjilanit, Afati për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë është 30 shtator 2026. Ju ftojmë ta kontrolloni faturën tuaj dhe ta kryeni pagesën me kohë”, thuhet në njoftim.

Sipas nenit 23 të Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, tatimi vjetor paguhet në dy këste të barabarta: deri më 30 prill dhe deri më 30 shtator.
Ndërsa neni 35, paragrafi 6 parasheh gjobë prej 10% të tatimit të papaguar në rast vonese, dhe neni 25 parasheh llogaritjen e interesit në baza mujore prej 0.65%.

Shembull i llogaritjes së vonesës
Nëse një këst prej 100 € mbetet i papaguar për 12 muaj:
- Gjoba 10%: 10 €
- Interesi për 12 muaj: 7.80 €
- Totali për pagesë: 117.80 €
Nëse nuk paguhen të dy këstet, gjoba dhe interesi llogariten për secilin këst veçmas, duke filluar nga afati i tij përkatës.

Ku mund të paguhet
Të hyrat nga tatimi në pronë shkojnë për investime në rrugë, ndriçim publik, shkolla dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
Qytetarët mund ta kontrollojnë dhe ta shtypin faturën përmes:
- Portalit të tatimit në pronë
- Platformës E-Kosova
- Sporteleve të Tatimit në Pronë
Gjithashtu, qytetarët që jetojnë jashtë vendit mund ta kontrollojnë faturën online pas regjistrimit në sistem.
