GJILAN / BUJAR SELIMI BËHET DOKTOR SHKENCE, Mbron temën e doktoratës në Universitetin e Shkupit për Dizajn dhe Teknologji të Mobiljeve
GJILAN, 5 Tetor 2026 – Gjilani ka edhe një doktor shkence. Bujar Selimi ka mbrojtur me sukses temën e doktoratës në Fakultetin për Dizajn dhe Teknologji të Mobiljeve dhe Enterierit, në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Lajmin e bëri të ditur dr. Elez Elezi, i cili përmes një postimi e përshkroi ditën e veçantë për familjen.
“Një mbrojtje që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë”


Sipas dr. Elezit, mbrojtja e doktoratës u prit me vlerësime të larta nga komisioni akademik.
“Ishte një mbrojtje që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë, jo vetëm për faktin se Bujari përfundoi një rrugëtim të rëndësishëm akademik, por edhe për mënyrën se si u prit dhe u vlerësua puna e tij nga komisioni”, shkroi ai.
Ai theksoi se anëtarët e komisionit, të gjithë pjesë e stafit akademik të universitetit, e vlerësuan dhe e lavdëruan punën e doktoratës.
“Pyetjet ishin të ndryshme dhe të thelluara, në kuadër të temës, ndërsa Bujari u përgjigjej me qetësi, siguri dhe njohuri. Duke e dëgjuar, ne të afërmit ndiheshim krenarë”, tha dr. Elezi.
“Nuk ishte parë doktoraturë e tillë deri atëherë”
Vlerësimi më i lartë erdhi nga mentori i Bujarit, i cili pas vlerësimeve të komisionit u shpreh:
“Pas gjithë asaj që u tha, unë nuk kam çka të them. Po ta lavdëroj më tej punën e Bujarit në këtë doktoratë, do të më bjerë se po e lavdëroj veten.”
Pas përfundimit të mbrojtjes, mentori njoftoi edhe një vlerësim tjetër:
“Sipas tij, komisioni kishte ardhur në përfundimin se një doktoraturë e përgatitur në atë nivel nuk ishte parë deri atëherë në universitetin e tyre.”
“Pas çdo suksesi qëndron një histori pune”
Dr. Elez Elezi tha se pas suksesit qëndrojnë vite pune dhe përkushtimi.
“Po e shkruaj sepse mendoj se pas çdo suksesi të vërtetë qëndron një histori pune që shpesh nuk shihet. Sot ne pamë vetëm ditën e mbrojtjes. Por pas asaj dite qëndrojnë vite të tëra pune, përkushtimi dhe përgjegjësie”, shkroi ai.
Në fund ai i uroi nipit të tij suksese të mëtejme:
“Faleminderit, Bujar, që na dhe edhe neve këtë ndjenjë krenarie dhe gëzimi. Urime doktoratura, Bujar! Uroj që kjo të jetë vetëm një nga shumë arritje në rrugën tënde akademike dhe profesionale.”
