BKK kremton 78 vjetorin e saj dhe një vit tjetër të suksesshëm përmes katër faktorëve vendimtarë
Kur bëhet fjalë për t’u dhënë njerëzve material të besueshëm, bibliotekat janë thelbësore. Ato mbështesin dhe stimulojnë marrjen e informacionit përmes të mësuarit. Ka shumë libra që mund të lexojnë dhe të zgjerojnë njohuritë e tyre. Për më tepër, shumëllojshmëria është aq e gjerë sa shumica e njerëzve gjejnë atë që kërkojnë dhe një vend që zakonisht ngjall kujtime të këndshme është biblioteka. Ndërkaq, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka shënuar sot 78-vjetorin e themelimit, duke shënuar një vit të veçantë dhe me shumë përmirësime në fushën e bibliotekave të Kosovës, shkruan KultPlus.
Agjenda e aktiviteteve të Komunës së Gjilanit për shënimin e festës së 28 Nëntorit.
Shpallje *** Shpallje *** Shpallje
Agjenda e aktiviteteve të Komunës së Gjilanit për shënimin e festës së 28 Nëntorit.
Ministria e Kulturës ka vazhduar që të dhurojë përkrahje të madhe për BKK-në, derisa veprimtarinë e sotme e bëjnë të veçantë katër faktorë kyç.
Duke filluar nga akti i nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet BBK-së dhe organizatës “FLOSK”, që ofron bashkëpunim për dixhitalizimin e fondeve të BKK-së. Më pas, duke shënuar edhe ditën kombëtare të vetëdijesimit të bibliotekave që vjen prej programit Erasmus+, veprimtari që organizohet bashkë që nga viti 2017 mes Bibliotekës dhe Universitetit të Prishtinës.
Në këtë ditë, gjithashtu është bërë edhe akti nismëtar i pranimit të kodit të librave të ndërmarrjes botuese “Rilindja” në BKK nga drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Si çështje e fundit është përfshirë edhe dhënia e mirënjohjeve për njerëzit që kontribuuan në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajrakut e mori fjalën, duke treguar rrugëtimin e BKK-së ndër vite dhe përpjekjet e tyre për të përmirësuar këtë fushë.
“Sot ne po kremtojmë 78 vjetorin e themelimit të Bibliotekës në një kremtim dhe aktivitet të veçantë së bashku me MKRS-në dhe Rektoratin e UP-së. Biblioteka ka një datë që është e njohur si datë e themelimit të saj, pikërisht nëntori i vitit 1944 kur nis punën në Prizren me një koleksion të vogël të librave dhe më pas vijon të bëjë jetën e saj duke u rritur e zhvilluar gjatë 78 vjetëve të historisë, në një fond bibliotekar që tashmë ka biblioteka dhe këto koleksione që po pasurohen e që janë pjesë e trashëgimisë 78 vjeçare është dashur shumë punë e kujdes i të gjitha gjeneratave. Ne po mundohemi të bëjmë atë që është në mandatin e BKK-së, që është i gjerë dhe që është përfshirës në fushën e zhvillimit bibliotekar, mbledhjes dhe ruajtjes së trashëgimisë nder shkrimore, të shtypur, botuese dhe asaj gojore në ngritjen e cilësisë së shërbimeve”, thotë ai.
Tutje, Gajraku gjithashtu shton se gjatë këtij viti BKK-ja është pasuruar me 2439 tituj të rinj.
“Në kuadër të punës praktike dhe zhvillimit të koleksionit, biblioteka gjatë këtij viti përmes politikave të blerjes, ekzemplarëve të detyrueshëm dhe dhuratës është pasuruar me 2439 tituj apo 8381 ekzemplarë. BKK ka pasuruar gjatë këtij viti 9 biblioteka shkollore me 1518 tituj”.
Mes tjerash, gjatë fjalimit të tij drejtori i BKK-së, njoftoi se do të verifikohen të gjitha dëmet që janë bërë kësaj biblioteke në ekzemplarët e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Me vendim të qeverisë së Kosovës, për dokumentimin dhe vlerësimin e dëmeve të trashëgimisë kulturore të shkaktuara nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit, BKK e cila gjatë viteve 90-ta ka pasur humbje të mëdha të fondit të saj është duke e verifikuar të gjitha librat fizikë të reporterit dhe do të nxjerrë statistika dhe koleksione. Verifikimit do t’i nënshtrohen të gjitha librat dhe së shpejti do të kemi një raport të detajuar me të gjitha dëmet që janë shkaktuar”, thotë drejtori, duke përshëndetur të pranishmit dhe duke i uruar 78 vjetorin.
Për një fjalë rasti u ftua edhe Feim Hoxha, zëvendësues i Sekretariatit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Kam kënaqësinë sot në përvjetorin e kësaj sot në këtë përvjetor të Bibliotekës që në emër të Ministrit Hajrulla Çeku të ju përshëndes dhe të ju them se asnjëherë nuk ka qenë më i madh përkushtimit për të ndihmuar bibliotekat e në këtë rast në mënyrë të veçantë BKK-në. Kjo datë është përkushtimi për të krijuar bashkë dhe për të ri konfirmuar rolin e Bibliotekave në vendin tonë, të ndërtuar mbi themelet që nga vitet 1944. Në mbështetjen që ajo merr në përmbushjen e misionit të saj, si institucioni bibliotekar qendror në Kosovë dhe si qendër e inovacionit bibliotekar në nivel kombëtar”.
Hoxha thotë se biblioteka, apo përkatësisht informacioni është një faktor vendimtar në zhvillimin kombëtar të vendit.
”Derisa vazhdon të mbizotëron pikëpamja se bibliotekat janë jo më tepër se depozitarë e librit të së kaluarës, duhet të thuhet zëshëm për rolin thelbësor të bibliotekës si institucion arsimor, edukativ e kulturor. Biblioteka, përkatësisht informacion është një faktor vendimtar në zhvillimin kombëtar. Në shekullin e XIX, institucionet udhëheqëse duhet ta njohin këtë faktor dhe të ndihmojnë në ofrimin e kushteve të duhura për zhvillim të mëtejshëm”.
Ai gjithashtu tregon se BKK së shpejti do të rinovohet, derisa tanimë janë në fazën e hartimit të projektit për renovim.
“Qeveria e Kosovës, ashtu siç edhe ka përkrahur shumë projekte për bibliotekën e kulturën në përgjithësi, do të vazhdojë që të përkrahë zhvillimin e bibliotekave. Tanimë jemi në fazën e vlerësimit të ofertave për hartimin projektit të renovimit të tërësishëm të objektit të BKK-së, i cili do t’i paraprijë pastaj fazës së renovimit. Ne konsiderojmë se me renovimin e tërësishëm të BKK-së, do të krijohen kushtet adekuate për stafin e bibliotekës dhe gjithashtu do të kemi një ambient adekuat në standarde ndërkombëtare për ruajtjen e materialeve bibliotekare”, tha ai.
Qerim Qerimi në fjalimin e tij të parë si rektor i Universitetit të Prishtinës, u shpreh i lumtur që biblioteka vazhdon të jetë burim ekzistencial i dijës.
“Jam i privilegjuar që kam mundësinë që t’ju drejtohem në një ditë kaq emblematike për librin siç është Dita e Bibliotekës dhe njëkohësisht dita kombëtare e vetëdijesimit për bibliotekave në Kosovë. Këto dy ngjarje të çmueshme për institucionin e librit. Dita e sotme paraqet fjalimin tim të parë në cilësinë e rektorit të UP-së dhe nuk do të mund të gjeja një moment më të mirë për një fjalë të parë zyrtare se sa një ditë sikurse që është kjo. Biblioteka është burim ekzistencial i dijës, kjo mbetet e vlefshme edhe në kohën kur biblioteka po transformohet në drejtime të ndryshme, sidomos në terma digjitale”.
Qerimi thotë se biblioteka mbetet vend i pazëvendësueshëm për studentët dhe studiuesit e Kosovës.
“Sigurisht ajo nuk është vetëm një institucion ku takohen njerëzit, por është kulturë dhe kujdestare e rëndësishme kombëtare, institucionale etj. Biblioteka mbetet vend i pazëvendësueshëm për studentët dhe studiuesit tanë. Vetëdijesimi për rëndësinë e bibliotekës duhet të vazhdojë të rritet. Universiteti i Prishtinës për të gjashtin vit me radhë po e promovon ngritjen e vetëdijes për bibliotekat në Kosovë. Jemi duke punuar së bashku me partnerët tanë nga vende të ndryshme që të rrisim cilësinë e shërbimeve në bibliotekat universitare duke synuar modernizimin e tyre përmes zhvillimit të personelit dhe reformimit të shërbimeve që ofrohen”.
Rektori bëri thirrje që të mbrohet prona intelektuale (dokumentet, librat dhe të gjitha koleksionet që janë trashëguar) dhe t’i përdorin ato në mënyrat që lartësojnë vlerën e kërkimit dhe cilësinë e mësimit. “Nëse nuk të pëlqen të lexosh, ti nuk e ke gjetur librin e duhur”, prandaj mos ndaloni së kërkuari atë. Ju dëshiroj suksese të përzemërta në realizimin e aspiratave tuaja, sidomos ato që lidhen me librin”, përfundoi ai.
Arben Limani në cilësinë e Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, njoftoi më tepër rreth aktit nismëtar të fondit të librave të Ndërmarrjes Botuese “Rilindja” në BKK.
“Nuk është e zakonshme që drejtori i t’i drejtohet ndonjë evenimenti të tillë por jam shumë i lumtur që në rastin e shënimit të Ditës së Bibliotekës të ju njoftoj se bordi i drejtorëve të AKP-së si administratorë të ndërmarrjes shoqërore të shtëpisë botuese “Rilindja” pas kërkesës së BKK-së dhe me qëllim të kontributit në përmirësimin e gjendjes së bibliotekave të Kosovës të dhurojë një fond të caktuar, konkretisht rreth 430 pako të librave shkollorë. E gjithë kjo për t’iu dalë në ndihmë sado pak në pasurimin e fondit të librave dhe shtimin e koleksionit të BKK-së, si dhe duke ditur se ajo do t’i vë në funksion të mirëfillta në përmirësimin e bibliotekave në Kosovë në përgjithësi. Uroj që ky kontribut të ndikojë në lexuesit e vegjël, shpresoj që të në ardhmen të kemi bashkëpunime të tilla.
Pas përfundimit të dhënies së mirënjohjeve, në Hollin e Ekspozitës është hapur ekspozita “Percjeptimi për shqiptarët në artin e karikaturës” (periodiku britanik dhe amerikan gjatë fundshekullit të XIX dhe fillimshekullit të XX) të kuruar nga Sean Pessin, derisa kjo është dhuruar nga endra për Studime të Shqiptare në Londër.
Marrë nga: KultPlus