Në 04:30 të mëngjesit po hynte në Kosovë, arrestohet edhe personi i tretë i dyshuar për përgatitje të një vrasjeje
Në vazhdim të operacionit policor dhe veprimeve hetimore lidhur me rastin e dyshuar të përgatitjes së vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Policia e Kosovës njofton se ka arritur të ndalojë edhe personin e tretë të dyshuar.
Sot, “rreth orës 04:30, në pikën kufitare në Han të Elezit, në hyrje të Republikës së Kosovës, është ndaluar edhe personi i tretë i dyshuar, i cili ishte në kërkim policor në kuadër të këtij rasti”, njofton policia.
Pas identifikimit dhe ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale, personi i dyshuar është dërguar në mbajtje, me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Me këtë zhvillim, në kuadër të këtij rasti janë ndaluar gjithsej tre persona të dyshuar, ndërsa hetimet dhe veprimet operative po vazhdojnë në koordinim të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI)”, vijon njoftimi.
