Nisin konsultimet për formimin e koalicionit në KKSH
Në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Bujanoc, kanë nisur konsultimet ndërmjet listave zgjedhore lidhur me mundësinë e formimit të koalicionit për qeverisjen e këtij institucioni.
Sipas FOLonline, në takimin e nisur në orën 14:00 po marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha listave zgjedhore që garuan në zgjedhjet e 8 nëntorit.

Takimi është thirrur nga Partia për Veprim Demokratik (PVD), në cilësinë e fitueses së zgjedhjeve, me qëllim të shqyrtimit të mundësive për bashkëqeverisje në KKSH.
Sipas rezultateve preliminare, pas rivotimit në Breznicë dhe Samolicë, 29 mandatet në përbërjen e re të KKSH-së janë ndarë si vijon:
- PVD–AL: 10 mandate
- LPD–PDSH: 9 mandate
- APN: 5 mandate
- PD–LR: 5 mandate
Për formimin e shumicës në KKSH nevojiten së paku 15 mandate.
Mbetet të shihet nëse konsultimet e sotme do të rezultojnë me ndonjë marrëveshje konkrete ndërmjet subjekteve politike.
Deri më tani, vetëm PVD dhe Alternativa për Ndryshim (APN) janë deklaruar publikisht në favor të formimit të një koalicioni gjithëpërfshirës në KKSH.
