Bujar Nevzati ngre një sërë shqetësimesh në Kuvendin Komunal të Gjilanit: Ambulanca, punimet infrastrukturore dhe mungesa e ngrohjes
Këshilltari komunal Bujar Nevzati ka ngritur disa çështje që, sipas tij, po shqetësojnë qytetarët e Gjilanit, duke kërkuar përgjegjësi dhe përgjigje konkrete nga drejtoritë përkatëse komunale.
Në seancën e X-të të Kuvendit Komunal të Gjilanit, Nevzati ka adresuar shqetësimet lidhur me ndërprerjen e punës së ambulancës në Kishnapolë, objektin në oborrin e Spitalit Rajonal, realizimin e projekteve infrastrukturore dhe shpërndarjen e subvencioneve për bujqit, në një kohë kur institucionet publike po përballen me mungesë të lëndës djegëse për ngrohje.
Lidhur me ambulancën në Kishnapolë, Nevzati ka kërkuar sqarime nga Drejtoria e Shëndetësisë për ndërprerjen e shërbimeve në këtë ambulancë, e cila, sipas tij, ka funksionuar për rreth 70 vjet dhe u ka shërbyer afërsisht 500 banorëve të kësaj ane.
Ai ka pyetur pse nuk është siguruar me kohë kuadri i nevojshëm për vazhdimin e shërbimeve dhe kush mban përgjegjësi për ndërprerjen e funksionimit të saj.
Një tjetër çështje e ngritur nga Nevzati ka të bëjë me objektin e ndërtuar në pronën e Spitalit Rajonal të Gjilanit, në bashkëpunim me organizatën “Jetimat e Ballkanit”. Ai ka kërkuar të dijë nëse objekti është dhënë me qira për ushtrimin e veprimtarisë së një poliklinike private, kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore është bërë dhe nëse ka pasur miratim nga Kuvendi Komunal.
Në adresimin e tij ndaj Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Nevzati ka kritikuar mënyrën e realizimit dhe koordinimit të punimeve infrastrukturore në qytet, duke ngritur shqetësime për asfaltimin dhe rihapjen e rrugëve për shkak të punimeve të papërfunduara apo të pakoordinuara në kanalizim, ujësjellës, rrjet elektrik dhe vendosjen e skajoreve.
Ai ka kërkuar nga drejtori përkatës të paraqesë projektet e papërfunduara dhe afatet për përfundimin e tyre, të sqarojë përgjegjësinë për dëmet dhe punët e përsëritura, si dhe të tregojë nëse do të ndërmerren masa ndaj operatorëve ekonomikë dhe mbikëqyrësve që nuk i kanë realizuar punët sipas kontratave dhe standardeve profesionale.
Nevzati ka vënë në pikëpyetje edhe shfrytëzimin e ekspertizës së inxhinierëve komunalë, duke kërkuar planifikim, mbikëqyrje profesionale dhe përgjegjësi konkrete për projektet publike.
Ndërkaq, shqetësim tjetër i tij ka qenë shpërndarja e farës dhe plehut për bujqit më 26 nëntor, kur, sipas Nevzatit, afati optimal i mbjelljes së grurit tashmë ka kaluar, ndërsa institucionet arsimore dhe shëndetësore të komunës po përballen me mungesë të lëndës djegëse për ngrohje.
Ai ka kritikuar këtë situatë, duke e cilësuar si problem të planifikimit dhe menaxhimit të përgjegjësive komunale, me bujqit që, sipas tij, kanë mbetur me farë në dorë, nxënësit në shkolla me të ftohtë dhe pacientët në institucionet shëndetësore pa ngrohje.
Në përfundim të adresimit të tij, Nevzati ka kërkuar përgjigje konkrete, afate dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se qytetarët e Gjilanit meritojnë shërbime dhe zgjidhje, e jo arsyetime.
