Spitali i Gjilanit sqaron organizimin e kujdestarive dhe gatishmërinë e specialistëve
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka dalë me një sqarim publik lidhur me organizimin e shërbimeve shëndetësore, pas ngritjes së çështjes së kujdestarive në disa reparte dhe reagimeve që pasuan komunikimin e drejtorit të institucionit me një gazetare.
Spitali ka shpjeguar mënyrën e funksionimit të shërbimeve 24/7 dhe gatishmërinë e specialistëve, duke theksuar se pacientët nuk janë kthyer nga Emergjenca për mungesë të konsultimit specialistik.
Në sqarimin e publikuar, institucioni thekson se shërbimet shëndetësore ofrohen gjatë gjithë kohës, përmes organizimit të punës në orarin e rregullt, kujdestarisë dhe gatishmërisë specialistike.
Sipas Spitalit, ky organizim bëhet në bazë të nevojave dhe kërkesave klinike, me synimin për shfrytëzimin sa më efikas të kapaciteteve profesionale dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve për pacientët.
“Bazuar në funksionimin e deritanishëm të shërbimeve, asnjë pacient nuk është kthyer nga Shërbimi i Emergjencës për shkak të mungesës së konsultimit specialistik nga urologu, infektologu apo pulmologu”, thuhet në sqarim.
Institucioni bën të ditur se, në rastet kur paraqitet indikacion klinik, konsultimet me këta specialistë sigurohen përmes gatishmërisë specialistike, edhe jashtë orarit të rregullt të punës.
Ndërkaq, duke iu referuar komunikimit të fundit me gazetaren e Klan Kosovës, Arbëreshë Uka, Spitali shpreh keqardhje për formulimin e përdorur, duke ritheksuar rëndësinë e komunikimit korrekt dhe respektit të ndërsjellë.
“Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit respekton plotësisht lirinë e shprehjes, punën e gazetarëve dhe të drejtën e mediave për të informuar publikun”, thuhet në reagim.
Në përfundim, institucioni shpreh gatishmërinë për komunikim me mediat dhe rithekson përkushtimin ndaj transparencës, sigurisë së pacientëve dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore për qytetarët.
