AGK dhe rrjetet e gazetareve reagojnë ndaj sulmeve e gjuhës denigruese, Spitali i Gjilanit kërkon ndjesë për komunikimin me gazetaren
Një komunikim i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Afrim Cana, me gazetaren e Klan Kosovës, Arbëreshë Uka, ka nxitur reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Ndërkohë, Rrjeti i Grave Gazetare dhe AGK-ja kanë dënuar edhe sulmet seksiste ndaj gazetares së Nacionales, Besarta Hoti. Pas reagimeve publike, Spitali i Gjilanit ka dalë me një sqarim, duke shprehur keqardhje për formulimin e përdorur dhe duke dhënë shpjegime për organizimin e shërbimeve shëndetësore.
Çështja nisi pas një komunikimi ndërmjet drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Afrim Cana, dhe gazetares së Klan Kosovës, Arbëreshë Uka, e cila po kërkonte përgjigje lidhur me mungesën e kujdestarisë në disa reparte të këtij institucioni shëndetësor.
Gjatë komunikimit, Cana i është drejtuar gazetares me fjalinë: “A ke nevojë për ekzaminim? Nëse keni mundeni me ardhë”, formulim që nxiti reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).

AGK: Gjuhë e papranueshme dhe sjellje joprofesionale
Në reagimin e tij, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi gjuhën e përdorur nga drejtori Cana, duke e cilësuar atë si të papërshtatshme, fyese dhe përpjekje për intimidimin e gazetares gjatë ushtrimit të detyrës profesionale.
AGK-ja i bëri thirrje drejtorit të Spitalit të Gjilanit që t’i kërkojë falje publike gazetares Arbëreshë Uka, si dhe të tregojë transparencë e gatishmëri për t’iu përgjigjur pyetjeve të mediave që lidhen me interesin publik.
Në reagim u kërkua gjithashtu që niveli qendror të ndërmarrë masa lidhur me këtë rast, duke rikujtuar se gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre pa pengesa dhe pa u përballur me gjuhë denigruese.
RrGGK dënon sulmet seksiste ndaj gazetares Besarta Hoti
Në një rast tjetër, Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK) reagoi lidhur me fushatën denigruese dhe sulmet seksiste ndaj gazetares së Nacionales, Besarta Hoti, për shkak të raportimeve të saj hulumtuese me interes publik.
Sipas RrGGK-së, gazetarja Hoti kishte realizuar një seri raportimesh për aktivitetin e kompanisë G&G Exclusive dhe pronarit të saj, G.G., ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë për tri vepra penale: mashtrim, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Në aktakuzë, sipas reagimit, përmenden 131 qytetarë të cilët dyshohet se janë dëmtuar përmes një skeme ku ishin marrë pagesa për ndërtimin e vilave që nuk ishin përfunduar ose nuk ishin ndërtuar fare.
RrGGK shprehu shqetësim për përpjekjet për diskreditimin personal dhe profesional të gazetares, veçanërisht për përdorimin e imazheve të manipuluara përmes Inteligjencës Artificiale, të cilat, sipas këtij organizimi, përmbanin elemente të qarta seksiste dhe synonin cenimin e dinjitetit të saj.
Në reagim u theksua se përdorimi i teknologjisë për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve denigruese ndaj grave gazetare përbën një formë të dhunës digjitale me bazë gjinore. RrGGK kërkoi nga institucionet përgjegjëse që këto sulme të trajtohen me seriozitet, ndërsa shprehu solidaritet të plotë me Besarta Hotin.
AGK i bashkohet reagimit për Besarta Hotin
Pas reagimit të Rrjetit të Grave Gazetare, edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënoi fuqishëm fushatën denigruese dhe sulmet seksiste ndaj gazetares së Nacionales.
AGK-ja u bashkua me qëndrimin e RrGGK-së, duke vënë në pah veçanërisht përdorimin e imazheve të manipuluara përmes Inteligjencës Artificiale, të cilat synonin diskreditimin personal dhe profesional të gazetares.
Asociacioni u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i trajtojnë me seriozitet këto sulme, duke ritheksuar se ngacmimet, intimidimi dhe dhuna digjitale me bazë gjinore ndaj grave gazetare janë të papranueshme dhe nuk duhet të normalizohen.
Spitali i Gjilanit shpreh keqardhje dhe sqaron organizimin e kujdestarive
Pas reagimit të AGK-së, Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit publikoi një sqarim lidhur me komunikimin me gazetaren Arbëreshë Uka dhe çështjen e organizimit të shërbimeve shëndetësore.
Në reagimin e tij, institucioni shprehu keqardhje për formulimin e përdorur gjatë komunikimit me gazetaren, duke theksuar se respekton plotësisht lirinë e shprehjes, punën e gazetarëve dhe të drejtën e mediave për të informuar publikun.
“Shprehim keqardhjen tonë për formulimin e përdorur gjatë komunikimit me gazetaren dhe ritheksojmë rëndësinë e komunikimit korrekt dhe me respekt të ndërsjellë”, thuhet në sqarimin e Spitalit.
Sa i përket çështjes së ngritur për kujdestaritë, Spitali bëri të ditur se shërbimet shëndetësore ofrohen 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, përmes organizimit të punës në orarin e rregullt, kujdestarisë dhe gatishmërisë specialistike.
Sipas institucionit, ky organizim bëhet në bazë të nevojave dhe kërkesave klinike, me synimin për shfrytëzimin efikas të kapaciteteve profesionale dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve për pacientët.
Spitali theksoi se, bazuar në funksionimin e deritanishëm të shërbimeve, asnjë pacient nuk është kthyer nga Shërbimi i Emergjencës për shkak të mungesës së konsultimit specialistik nga urologu, infektologu apo pulmologu. Sipas sqarimit, sa herë që paraqitet një indikacion klinik, edhe jashtë orarit të rregullt të punës, konsultimet e nevojshme sigurohen përmes gatishmërisë specialistike.
Në përfundim, Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ritheksoi se mbetet i hapur ndaj mediave dhe i përkushtuar ndaj transparencës, sigurisë së pacientëve dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore për qytetarët.
