Nxënësit e Kamenicës vizitojnë KFOR-in Turk në Prizren, njihen me trashëgiminë historike e kulturore
Nxënës të shkollave të mesme „Andrea Dursaku” dhe „Ismail Qemajli” nga Kamenica, të shoqëruar nga përfaqësues të OJQ-së LIZA-R, kanë zhvilluar një vizitë në Prizren, ku janë pritur nga pjesëtarë të KFOR-it Turk.
Vizita është realizuar në kuadër të aktiviteteve për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe njohjen e të rinjve me monumentet dhe vendet me rëndësi historike të Kosovës.

Gjatë qëndrimit, nxënësit patën mundësi të njihen më për së afërmi me historinë dhe rëndësinë e Kazermës „Sulltan Murat”, si dhe të kalojnë një mëngjes të përbashkët me ushtarët turq. Delegacioni nga Kamenica u mirëprit nga Albay Tacettin Genç, përfaqësues i delegacionit turk, dhe Albay Yaşar Bayrak, komandant i SAI-së.

Pas pritjes në ambientet e KFOR-it Turk, vizita vazhdoi me ndalesa në monumente dhe pika të tjera me rëndësi historike e kulturore të qytetit të Prizrenit.

Përmes një njoftimi, OJQ LIZA-R ka shprehur mirënjohje për KFOR-in Turk për mikpritjen dhe bashkëpunimin, ndërsa ka falënderuar edhe Komunën e Kamenicës për mbështetjen me transportin e nxënësve, duke bërë të mundur realizimin e kësaj vizite edukative dhe kulturore.

Aktivitete të tilla synojnë të pasurojnë njohuritë e të rinjve për trashëgiminë historike e kulturore, duke nxitur interesimin e tyre për ruajtjen dhe promovimin e vlerave që përbëjnë kujtesën dhe identitetin e vendit.
