SC Gjilani rikthen në Superligë sulmuesin nigerian që shënoi pesë gola me Ferizajn
Sport Club Gjilani ka përforcuar repartin ofensiv me një futbollist që tashmë e njeh mirë kampionatin kosovar. Klubi gjilanas ka prezantuar Ade Ogunsin, sulmuesin 25-vjeçar nga Nigeria, i cili vjen me përvojë nga disa kampionate ndërkombëtare dhe me një bilanc pozitiv nga aventura e tij e mëparshme në Kosovë.
Oguns ishte pjesë e FC Ferizajt në gjysmën e dytë të edicionit 2025/26, ku arriti të realizojë pesë gola, duke lënë gjurmë në paraqitjet e tij me skuadrën ferizajase. Ai ishte pjesë e klubit belg KAS Eupen, nga i cili ishte huazuar te Ferizaj në shkurt të këtij viti.

I lindur më 14 prill 2001 në Lagos të Nigerisë, Oguns aktivizohet kryesisht si sulmues krahu në anën e majtë, por mund të luajë edhe në qendër të sulmit dhe në krahun e djathtë. Është i gjatë 1.79 metra dhe këmbën e preferuar e ka të djathtën.

Karrierën profesionale e ka ndërtuar në disa vende. Ai u afirmua te Caracas FC në Venezuelë, ku në kampionatin e vitit 2023 realizoi 12 gola në 27 paraqitje. Më pas kaloi te Wydad Casablanca në Marok, një prej klubeve më të njohura të futbollit afrikan, ku shënoi pesë gola në 17 ndeshje.
Në janar të vitit 2025 iu bashkua KAS Eupenit në Belgjikë. Sipas njoftimit zyrtar të klubit belg, në paraqitjet e tij me këtë skuadër realizoi dy gola në 12 ndeshje. Në gusht të vitit 2026, Eupen njoftoi ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të dyanshme.
Tashmë, Oguns nis një kapitull të ri në karrierën e tij me fanellën e SC Gjilanit, ku pritet të shtojë alternativat dhe konkurrencën në repartin ofensiv.
Rikthimi i tij në Superligën e Kosovës është një element që e bën këtë përforcim më interesant, pasi sulmuesi nigerian nuk ka nevojë për shumë kohë për t’u përshtatur me futbollin vendor, të cilin e ka provuar tashmë gjatë aventurës me Ferizajn.
