Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve, njëri raportohet në Gjilan
Policia e Kosovës ka njoftuar për pesë raste të dhunës në familje të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në Fushë Kosovë, Gjilan, Pejë, Gjakovë dhe Malishevë. Në katër prej tyre, të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.
Njëri nga rastet është raportuar në Gjilan, më 12 nëntor, në orën 21:13. Sipas Policisë, një person i gjinisë mashkullore dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore kishte ushtruar dhunë psikike ndaj vajzës së tij. I dyshuari është arrestuar, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Fushë Kosovë është arrestuar një person nën dyshimin për ushtrim të vazhdueshëm të dhunës ndaj bashkëshortes së tij. Në Gjakovë, një person është arrestuar nën dyshimin se kishte keqtrajtuar nënën e tij, ndërsa në Malishevë një tjetër dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, e cila ka pranuar tretman mjekësor. Në të tria rastet, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Rasti i pestë është raportuar në Pejë, ku një grua ka deklaruar se ditë më parë ishte kanosur përmes telefonit nga një person me të cilin kishte bashkëjetuar, ndërsa i njëjti dyshohet se kishte kanosur edhe babanë e saj. I dyshuari gjendet jashtë shtetit dhe rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.
