Bashkëshortja e heroit Agim Ramadani: “Bajrami u bë një yll më shumë në qiellin e Zhegrës”
GJILAN – Bashkëshortja e heroit të kombit, Agim Ramadani, ka përkujtuar me fjalë prekëse ndarjen nga jeta të Bajram Isufit nga fshati Sefer.
“Sot zemra më është rënduar nga një dhimbje e rëndë. U nda nga ne Bajram i Seferve, miku im i shtrenjtë, një shok fëmijërie dhe bashkëvendës i veçantë!”
Ajo e përshkruan Bajramin si “një njeri zemërbardhë, prej atyre njerëzve të rrallë që, pa bërë shumë fjalë, të falin afërsi, respekt, ngrohtësi dhe dashuri të sinqertë. Bajrami ishte njëri prej atyre njerëzve që të bënin të ndiheshe mirë vetëm nga prania e tij dhe buzëqeshja që i rrezatonte në fytyrë në çdo takim.”

Sipas saj, me Bajramin nuk i lidhte vetëm afërsia familjare.
“Na lidhte një miqësi e veçantë, një ideal i përbashkët dhe ëndrra jonë rinore për një Kosovë të lirë, me shtet funksional, me dinjitet dhe me institucione që u shërbejnë qytetarëve.
Për këtë ëndërr ai dha gjithçka, si gjatë luftës, ashtu edhe në paqe, duke mos u ndalur asnjëherë së kontribuari, deri në frymën e fundit.”
Duke kujtuar aktivitetet në nderim të Agim Ramadanit, ajo shkruan:
“Bajrami nuk ishte thjesht pjesëmarrës. Ai ishte njeriu që merrte mbi vete më shumë përgjegjësi se secili prej nesh. Gjatë atyre tri ditëve angazhohej pa u lodhur, vetëm që gjithçka të realizohej sa më mirë. E bënte me zemër, sepse për të këto nuk ishin thjesht aktivitete, por vazhdimësi e një ideali dhe nderim për njerëzit që i kishin dhënë aq shumë atdheut.”
Në fund të mesazhit të saj, ajo shkruan:
“E kemi për fat që jetojmë në vendin e yjeve të mëdhenj të historisë sonë, të Idriz Seferit e Agim Ramadanit – shpesh e përsëriste. E sot, Bajrami ynë u bë një yll më shumë në atë qiell. Por, sa e rëndë është kjo dritë që na lë pas! Sa shumë do të na mungojë buzëqeshja jote, miku im!
Pushofsh i qetë, Bajram! Do të të kërkojmë në çdo tubim, në çdo buzëqeshje e në çdo përqafim ku dikur ishe ti. Do të jesh aty, në kujtimet tona, në idealet tona dhe në zemrat tona, për aq kohë sa do të jetojmë. U prehsh në paqen e përjetshme, Bajram Isufi! Kujtimi dhe respekti për ty nuk do të vdesin kurrë!”
Ngushëllime të përzemërta familjarëve dhe farefisit!
