LDK në Gjilan kritikon qeverisjen lokale: Qyteti po përballet me bllokadë zhvillimore dhe degradim të shërbimeve publike
Gjilan, 5 nëntor 2026 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Gjilan ka kritikuar qeverisjen lokale, duke vlerësuar se qyteti po përballet me mungesë të zhvillimit, çrregullim urban dhe përkeqësim të shërbimeve publike. Në një komunikatë për media, kjo parti ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen në institucionet arsimore, veçanërisht për mungesën e ngrohjes dhe orët e humbura mësimore.
Sipas LDK-së, Gjilani po përballet me një bllokadë të përgjithshme zhvillimore, ndërsa projektet publike po realizohen pa koordinim të duhur dhe, siç pretendon kjo parti, në kundërshtim me procedurat ligjore.

Në komunikatë thuhet se, në vend të projekteve zhvillimore dhe një vizioni të qartë për të ardhmen e qytetit, qytetarët po përballen me ç’rregullim urban, vështirësi në qarkullim dhe mungesë të planifikimit institucional.

Një pjesë të veçantë të kritikave, LDK-ja ia ka kushtuar gjendjes në arsim. Kjo parti vlerëson se është shqetësuese që, edhe në këtë periudhë të vitit shkollor, shumë shkolla në Gjilan vazhdojnë të mos kenë ngrohje, duke u detyruar ta zhvillojnë procesin mësimor me orar të shkurtuar.
Po ashtu, LDK-ja pretendon se në shkollat e komunës ka mungesë të konsiderueshme të orëve mësimore, të cilën e ndërlidh me vonesat në zhvillimin dhe përmbylljen e konkursit të punësimit dhe mungesën e stafit arsimor.
“Kjo situatë po cenon drejtpërdrejt procesin mësimor dhe të drejtën e nxënësve për arsimim cilësor”, thuhet në komunikatë, ku theksohet se arsimi nuk duhet të bëhet viktimë e neglizhencës dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.
Përveç kritikave ndaj qeverisjes lokale, LDK-ja ka paralajmëruar edhe intensifikimin e aktivitetit të saj politik dhe organizativ në Gjilan. Sipas komunikatës, përgatitjet e ardhshme do të përqendrohen në mobilizimin e strukturave partiake, forcimin e komunikimit me qytetarët dhe ndërtimin e një alternative politike për të ardhmen e qytetit.
LDK-ja thotë se do të vazhdojë të ushtrojë rolin opozitar, duke kërkuar llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjësi për realizimin e projekteve publike, si dhe duke kundërshtuar vendimet që, sipas saj, dëmtojnë interesin e qytetarëve.
Komunikata është publikuar nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së në Gjilan, më 5 nëntor 2026.
