DSHMS Gjilan, Mimoza Kadriu, drejtoreshë: “Nuk po mbyllet ambulanca në Kishnapolë, është vetëm ndërprerje e përkohshme”
Gjilan, 03.11.2026 – Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Mimoza Kadriu, ka folur pas reagimit të PDK-së dhe ka dhënë sqarime për opinionin publik lidhur me shërbimin ambulantor në Kishnapolë.
Kadriu sqaroi se nuk bëhet fjalë për vendim të mbylljes së ambulancës, por për ndërprerje të përkohshme të shërbimit ambulantor deri në rekrutimin e stafit të ri.
“Aktualisht jemi në përgatitje të konkursit për rekrutimin e personelit, i cili pritet të shpallet këto ditë”, tha ajo.

Sipas DSHMS-së, gjatë kësaj periudhe në njoftimin e publikuar janë bërë të ditur numrat kontaktues të shërbimit të patronazhit dhe të urgjencës, në mënyrë që qytetarët të vazhdojnë të kenë qasje në shërbimet shëndetësore.
Arsyet e ndërprerjes sipas DSHMS-së:
1. Numër shumë i ulët i shërbimeve – Bazuar në rekomandimin e Komitetit për Cilësi në QKMF dhe analizën e raporteve 6-mujore, është konstatuar qarkullim i ulët në këtë ambulantë.
2. Organizim më efikas – Deri në rekrutimin e stafit të ri, personeli do të angazhohet në QKMF, veçanërisht në prag të sezonit të gripit kur rritet nevoja për shërbime.
“Ky është një organizim i përkohshëm i shërbimeve dhe jo vendim për mbylljen e ambulancës në Kishnapolë”, theksoi Kadriu.
DSHMS dhe QKMF mbeten të përkushtuara, sipas saj, për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore, të qasshme dhe në interes të qytetarëve.
