AUV asgjëson mbi 21 tonë produkte mishi të tërhequra nga tregu
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar 21 mijë e 226 kilogramë produkte mishi, në kuadër të procesit të tërheqjes së produkteve ushqimore nga operatori ekonomik ELKOS SH.P.K.
Sipas njoftimit të AUV-së, asgjësimi është kryer më 30 tetor, nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë. Sasia përfshin mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish të grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera.

Ky veprim vjen pas urdhrit fillestar të AUV-së për ndalimin e shitjes dhe asgjësimin e 3 mijë e 130 kilogramëve kofshë pule të ngrira, pas konstatimit të pranisë së mykut.

AUV ka bërë të ditur se procesi i gjurmueshmërisë dhe grumbullimit të sasive të tjera është ende në vazhdim, veçanërisht për produktet ku janë vërejtur ndryshime në cilësitë organoleptike.
Ndërkohë, inspektorët po vazhdojnë mbikëqyrjen dhe verifikimin e dokumentacionit të importit, kushteve të ruajtjes dhe zinxhirit të ftohjes, me qëllim të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.
