Troja Bicurri fiton çmimin e parë në “Akordet e Kosovës” me këngën “Mali dhe Hana”
Këngëtarja dhe kantautorja 15-vjeçare, Troja Bicurri, është fituese e çmimit të parë në edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, me këngën “Mali dhe Hana”.
Vlerësimi kryesor i festivalit iu nda nga ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ndërsa juria e veçoi krijimin për origjinalitetin, tekstin, interpretimin dhe aranzhimin. Fitorja merr edhe një domethënie të veçantë për këngëtaren e re, pasi Esat Bicurri, axha i babait të saj, kishte fituar çmimin e parë në këtë festival në vitin 1973. Kështu, çmimi kryesor i “Akordeve” rikthehet në të njëjtën familje pas 53 vjetësh.

Kënga “Mali dhe Hana” është shkruar, kompozuar dhe interpretuar nga vetë Troja Bicurri. Frymëzimin për krijimin e saj e ka gjetur në natyrë dhe pamjet e vjeshtës, ndërsa përmes tekstit trajton një histori dashurie mes dy të rinjve që vijnë nga mjedise të ndryshme.


Në vendin e dytë u rendit Fatbardha Nikçi me këngën “Hajde mor i bukur”, e cila mori edhe Çmimin e Orkestrës. Çmimi i tretë iu nda grupit “Hawolf” për këngën “Ti si unë”, ndërsa çmimi për tekstin më të mirë i takoi Olimpia Smajlajt për këngën “Amanet”.
Në edicionin e sivjetmë janë prezantuar gjithsej 17 këngë, me zhanre dhe qasje të ndryshme muzikore, nga baladat dhe popi deri te rocku dhe muzika alternative. Fituesit janë shpallur në natën e dytë të festivalit, pas interpretimit të sërishëm të këngëve garuese.
Juria përbëhej nga pesë anëtarë, me rock-këngëtarin dhe kantautorin Bojken Lako në krye, ndërsa pjesë e saj ishin edhe bateristi Besim Gashi – Babuka, sopranoja Adelina Paloja, muzikanti dhe dirigjenti Astrit Pallaska, si dhe aktorja Rebeka Qena.
Rikthimi i “Akordeve të Kosovës”, pas 38 vjetësh nga ndërprerja e festivalit, është shoqëruar edhe me paraqitje të artistëve të gjeneratave të ndryshme. Nata e dytë nisi me një homazh kushtuar atyre që kanë sakrifikuar jetën për liri, përmes një performance baleti nga Behie Murtezi dhe balerinëve të rinj, nën shoqërimin e violinistit Festim Fanaj.
Në skenën e festivalit u paraqit edhe Bojken Lako, i cili vlerësoi rëndësinë e afrimit kulturor mes shqiptarëve dhe punën e realizuar në organizimin e këtij edicioni. Ndërkaq, këngëtari Besnik Qaka interpretoi këngët “Ashtu sikur dje” dhe “Mos u nal”.
Një moment rikthimi në historinë e festivalit ishte paraqitja e këngëtares Deniza Begolli, e cila interpretoi këngën “Dëshira”, me të cilën kishte marrë pjesë në edicionin e vitit 1989, si dhe rikthimi në skenë i Sead Jakupit nga grupi “Telex”, me këngën “Ndoshta një ditë”.
Vëmendje të veçantë në këtë edicion të festivalit tërhoqi edhe aktorja e re Flaka Latifi, e cila, krahas gazetarit dhe moderatorit Agron Krasniqi, drejtoi netët e të rriturve. Me natyrshmërinë në skenë, diksionin e qartë, sigurinë në komunikim dhe aftësinë për të menaxhuar ritmin e prezantimit, ajo dëshmoi se formimi i saj në aktrim i jep potencial edhe për moderimin televiziv. Paraqitja e saj ishte një prej veçorive të këtij edicioni, duke sjellë një frymë të re në prezantimin e festivalit.
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, gjatë mbrëmjes vuri në pah rëndësinë e rikthimit të festivalit, duke kujtuar se “Akordet e Kosovës” ishin ndërprerë dhunshëm dhe se organizimi i tyre në liri përfaqëson vazhdimin e një tradite muzikore.
Edicioni i katërt, me rikthimin e emrit historik “Akordet e Kosovës”, ka sjellë në një skenë artistë të rinj dhe emra të njohur të muzikës shqipe, duke rikthyer vëmendjen te një prej festivaleve që ka lënë gjurmë në historinë muzikore të vendit.
